Rei Manaj pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet nga Uotford si blerja më e re e klubit anglez. Futbollisti i Kombëtares ka udhëtuar përsëri sot drejt Anglisë për të finalizuar tarnsferimin e tij, që vonoi për shkak se skuadra e re nuk kishte gjetur ende gjuhën e përbashkët me Barcelonën për transferimin.
Në fakt, palët ishin dakord për lëvizjen e Manajt drejt kampionatit anglez, ku Uotford luan në kategorinë e dytë, me sulmuesin që ishte i gatshëm të transferohej përfundimisht. Ajo që mbajti peng firmën ishte fakti se anglezët dhe katalanasit e Barcelonës që zotërojnë kartonin e tij, nuk po gjenin një akord për formulën e transferimit.
Sipas mediave angleze, Uotford refuzoi të paguante çdo lloj shume në arkat e klubit spanjoll, i cili nuk dëshironte të dilte me humbje nga largimi i Manajt për të cilin kishte shpenzuar rreth 2 milionë euro. Kjo bëri që Manaj të kthehej përsëri në Spanjë të martën, në pritje të akordit mes dy skuadrave. Në fund, marrëveshja u arrit pasi Barcelona pranoi ta lejonte të transferohej pa pagesë edhe pse i mbetej një vit kontratë në marrëveshjen e tij me spanjollët, por me një kusht.
Manaj do të firmosë një kontratë trevjeçare me Uotford dhe katalanasit kanë rezervuar të drejtën që në rast të një shitje të mundshme të lojtarit gjatë kësaj periudhe, të merrte një përqindje të shumës së përfituar. Tani Manaj është në Londër për vizitat mjekësore dhe për lejen e punës, që të finalizojë marrëveshjen me klubin e ri.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…