Vllaznia do të zhvil lojë sot miqësoren e dytë të fazës përgatitore që po zhvillojnë në Austri. Pas testit të parë me Traiskirshen, të fituar me rezultatin minimal 0-1, skuadra shkodrane do të luajë sot në orën 18:00 një tjetër miqësore, kësaj here me një skuadër më të fortë, siç është ajo SV Lafnitz që merr pjesë në Ligën e Dytë austriake.
Si rrjedhojë, do të jetë një tjetër mundësi e mirë për shkodranët për të testuar veten në prag të dy sfida të Ligës së Konferencës me Universitatea të Krajovës. Drejtuesit kanë kërkuar që në fillim që shkalla e vështirësisë së kundërshtarit të vijë duke u rritur, nga një i lehtë dhe për ta mbyllur me miqësoren e tretë, ku pritet të përballen me 12 korrik me një ekipi të Bundesligës austriake. Para kësaj miqësoreje të dytë, trajneri Mirel Josa ka zhvilluar edhe të tjera seanca stërvitore duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës ndaj Universitatea Krajovës.
Grupi i futbollistëve ka qenë pothuajse i plotë. Hakaj për një problem të lehtë në gishtin e vogël të këmbës, si dhe Liridon Latifi, ishin dy lojtarët që përfunduan në tribunë në miqësoren e parë me Traiskirshen. Por situata pritet të jetë ndryshe në miqësoren e sotme, pasi dy lojtarët e mësipërm pritet që të “ndezin motorët” dhe të kenë minutat e para në fushë në shërbim të Vllaznisë. Mbetet për të parë nëse Hakaj do ta nisë si titullar apo për të mos e rrezikuar stafi do t’i japë vetëm disa minuta në pjesën e dytë, gjë e cila pritet të ndodhë me Latifin, pasi nuk e ka ende formën për ta nisur nga fillimi.
Në këtë test të dytë pritet që trajneri Josa të bëjë sërish lëvizje në formacion, pasi ka mundësinë për t’i provuar të gjitha skemat, meqenëse bëhet fjalë për ndeshje miqësore, kur rezultati del në plan të dytë. Gjithsesi, ajo që është pozitive është se gjatë këtyre përgatitjeve skuadra po stërvitet fort dhe gëzon formë të mirë. Gjatë këtyre seancave stërvitore, futbollistët kanë treguar një përkushtim për të qenë gati për ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës ndaj rumunëve.
Edhe gjatë ditës së djeshme ekipi ka vijuar përgatitjet me ngarkesë të lartë, ku fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësin atletik Mikhail Tzokov, por nuk është lënë pas dore as puna me topin. Pas takimit me SV Lafnitz skuadra do të jetë edhe për 6 ditë të tjera në Presbaum të Austrisë, ku do të zhvillojë edhe një tjetër përballje miqësore. Më 13 korrik ekipi do të largohet nga Austria, për të përmbyllur fazën përgatitore në Shkodër.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…