Dushan Vlahoviç tani mund të buzëqeshë, ndoshta këtë herë edhe më shumë sesa në 6 muajt e tij të parë te bardhezinjtë. Numri 9 i ri i Juventusit përgatitet që të realizojë më shumë sesa 7 golat e fazës së dytë në sezonin e kaluar, pasi do të marrë një dhuratë jo të vogël… Pritet një breshëri topash për gol, pikërisht ata që garantojnë Angel di Maria dhe Pol Pogba. Dy ndër ekspertët më të mëdhenj të asisteve të Europë do të jenë pjesë e “Zonjës së Vjetër” nga kjo fundjavë dhe gati që të vihen në dispozicion të Alegrit, Vlahoviçit, por mbi të gjitha të Juventusit dhe tifozëve të tij. Premisat, duke u nisur jo vetëm nga eksperienca e tyre, janë më shumë sesa pozitive, pasi edhe në futboll ajo që vlen janë shifrat dhe ato të Di Marias e Pogbasë janë stratosferike.
Më konkretisht uebsajti i statistikave, “Wyscout”, nënvizon se mesatarja sezonale e pasimeve për dyshen argjentinase-franceze që dërgojnë një sulmues të godasë portën rivale janë 139.3, në 7 sezonet e fundit. Studimi i bërë lidhet me periudhën që Paulo Dibala ka qenë pjesë e Juventusit, njeriu që ofronte pasimin e fundit, njeriu që kishte në dorë çelësat e fantazisë së lojës bardhezi, por që vendosi të tradhtojë, duke iu premtuar Interit me sa duket nga dita e djeshme. Gjithsesi, arsyeja pse Juventusi vendosi që të heqë dorë nga Dibala dhe të investojë fort te Di Maria tregohet nga shifrat që nuk mund të deformohen. Mbase po, Angel ka në këmbët e tij më pak gola sesa Paulo, por 34-vjeçari, nga sezoni 2015-2016 e në vazhdim ka pasur një mesatare fikse prej më shumë se 2 pasimesh të fundit për gol çdo 90 minuta. Nëse marrim vetëm krahasimin në sezonin e fundit mes Dibalës dhe Di Marias, numrat thonë 59.6 pasime të fundit për Paulon (mesatarisht 1.8 për ndeshje) dhe 91 pasime për gjuajtjen finale të Angelit (2.6 për ndeshje).
Ndërkohë, Pol Pogba në Torino mund të hyjë në krahasim me Ueston MeKenin, njeriun që nga mesfushorët bardhezi ka për detyrë të furnizojë Vlahoviçin me shokë, por shifrat sërish janë në favor të afrimeve të reja. Amerikani numëron 21.2 pasime të fundit në vitin e tij më të mirë, ndërkohë që Pogba ka një mesatare në 7 vitet e fundit prej 48.3. Dhe nëse këtij numri i shtojmë edhe 91 pasimet e Di Marias siç thamë më lart, gjithmonë nëse ruhet i njëjti rendimet nga francezi e argjentinasi, kjo do të thotë se bomberi Dushan Vlahoviç, por pse jo edhe Kieza, Kuadrado apo edhe ndonjë mes Zaniolos e Moratës nëse blihen nga torinezët, do të kenë të garantuar gati 140 pasime të fundit, për të privuar më lehtësisht gjetjen e portës kundërshtare, golin dhe fitoren.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…