Atmosferë elektrizuese në Korçë. Plot 3 mijë tifozë, kishin mbushur plot e përplot shkallët e pallatit të sportit “Tamara Nikolla”, në finalen e tretë mes Skënderbeut dhe Tiranës, që përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të vajzave korçare.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Pandush Kapedani, mposhti mes spektaklit bardheblutë e trajneres Prenga. Me ekipin e futbollit që ka marrë tatëpjetën, sportdashësit korçar janë afruar me vajzat e volejbollit, teksa këtë sezon Skënderbeu ka ndërtuar një skuadër mjaft të fortë, duke investuar edhe me afrimin e pesë lojtareve të huaja.
Kjo fitore i ka afruar më shumë me titullin kampion, vajzat e Skënderbeut, teksa trofeu në Korçë mungon që prej vitit 1986.
Finalja e katërt është planifikuar të zhvillohet më 7 maj në Tiranë. Në rast se në këtë duel fitojnë vajzat bardheblu të Amarilda Prengës, atëherë ajo që do të vendos fituesin do të jetë finalja e 5-të e 10 majit, që është planifikuar të luhet në Korçë nëse nevojitet.
Arena e Lajmit