Lindita Nikolla merr pjesë në Samitin Botëror kundër Terrorizmit: Shqipëria u rreshtua në krahun e duhur të historisë, me SHBA

Whatsapp Image 2022 09 13 At 15.46.20 (1)

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë në Samitin e 21 Botëror kundër Terrorizmit “Terrorizmi në sytë e stuhisë”, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Kundër Terrorizmit i Universitetit Reichman në Izrael. Kryetarja Nikolla shoqërohej nga Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Cani.

Në Samit morën pjesë parlamentarë, personalitete të larta shtetërore, akademikë dhe ekspertë nga mjaft vende të botës. Samitin e përshëndeti edhe Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të ShBA, Alejandro Mayorkas. Kryetarja Nikolla ishte folëse kryesore në sesionin e datës 13 shtator.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u përqendrua në nevojën e përgjigjeve sinergjike kundër terrorizmit dhe konflikteve e luftrave pushtuese; domosdoshmërinë e harmonizimit më të mirë të aleancave e përgjigjeve ushtarake me aleancat politike; kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe luftës në Ukrainë, për mbrojtjen e paqes; lidershipin rajonal të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit si kontribut për sigurinë dhe paqen.

Në fjalën e saj në Samit, Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Prej 24 shkurti këtij viti, kur ndodhi agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, aktet terroriste dhe lufta kërcënojnë njerëzimin në mënyrë të njëkohshme dhe paralele. Midis akteve terroriste dhe luftërave pushtuese mund tëndërtohen lehtësisht sinergji dhe krijimi i tyre shumëfishon rreziqet për vendet që janë target i këtyre sulmeve, por edhe për rajonet, kontinentet e më gjerë, madje gjithë planetin.Terroristët dhe shtetet luftënxitëse shfrytëzojnë çdo arritje teknologjike për të goditur paqen, demokracinë, mirëqenien dhe sistemin demokratik. Më 7 shtator, Shqipëria vendosi ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, për shkak të provave se ky vend kishte sponsorizuar sulmin kibernetik ndaj faqeve qeveritare të Republikës së Shqipërisë.

Në shumë rajone të botës arritja e aleancave ushtarake mbrojtëse nuk ndiqet gjithmonë nga partneriteti dhe aleancat politike. Para më shumë se tri dekada, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, hynë në në proceset e integrimit evro-atlantik dhe integrimit evropian, në NATO, dhe në Bashkimin Evropian. Sot, pas 32 vjetësh, duket qartë që NATO ka ecur më shpejt se BE në pranimin e vendeve që dikur i përkisnin një aleance ushtarake kundër saj. Dilemat e politikave të zgjerimit të BE-së, krahasuar me qartësinë e zgjerimit të NATO-s, u kanë lenë vend penetrimit dhe ndikimit të influencave joperëndimore në Ballkanin Perëndimor, prej të cilave mund të përfitojnë si terroristët, ashtu edhe luftënxitësit. Shpejtësia dhe qartësia me të cilat NATO veproi në mbështetjen ndaj Ukrainës, dëshmoi jo vetëm forcën, por edhe kohezionin e organizatës.

Shqipëria u rreshtua në krahun e duhur të historisë, në krahun e ShBA, me bindjen se lufta kundër terrorizmit, bazave e mbështetësve të tyre, është lufta për jetën. Djemtë e Shqipërisë u bashkuan në betejën e madhe anti-terror në Irak, Afganistan e gjetkë, përkrah koalicionit të madh botëror, për t’i larguar botës frikën dhe për t’i kthyer qetësinë, sigurinë dhe paqen. Edhe pse një vend i vogel e me burime të kufizuara, Shqipëria ka dëshmuar se kontributi në luftën kundër terrorizmit e terroristëve nuk lidhet me madhësinë e vendit dhe fuqinë e ekonomisë, por me vizionin e qartë për lirinë, të drejtën dhe paqen. Po kaq i qartë ka qenë edhe qëndrimi ynë kundër pushtimit të Ukrainës. Si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me Shtetet e Bashkuara, është penëmbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve e të veprimeve në mbrojtje të Ukrainës.

Në tetor 2020 Kuvendi i Shqipërisë adoptoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit” dhe organizoi, në bashkëpunim me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, Forumin e parë ballkanik kundër antisemitizmit. Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit lidershipin e frontit të bashkuar të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit. Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë buron sa nga historia dhe ekzistenca, aq edhe nga aspiratat tona drejt Bashkimit Europian; anëtarësia në NATO; aleanca kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi.”

Gjate Samitit, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u prit nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar Kundër Terrorizmit, Prof. Boaz Ganor, me të cilin diskutuan mbi bashkërendimin e luftës kundër terrorizmit kibernetik.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në Samitin e 21 Botëror kundër Terrorizmit “Terrorizmi në sytë e stuhisë”.

Lindita Nikolla merr pjesë në Samitin Botëror kundër Terrorizmit: Shqipëria u rreshtua në krahun e duhur të historisë, me SHBA

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook