Përjashtimi nga kompeticionet ndërkombëtare i Rusisë në nivel kombëtaresh dhe klubesh po shtyn Federatën Ruse që të ndërmarrë një vendim drastik duke ndryshuar shpejt konfederatë në mënyrë që të mund të luajë.
Rusia nuk do të mund të zbresë në fushën e lojës në ndeshjet e Ligës së Kombeve që i fillonte pikërisht ndaj Shqipërisë, ndërsa në verë klubet e saj nuk do të nisin rrugëtimin në aktivitet ndërkombëtare, pasi janë përjashtuar për edicionin 2022-2023 për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por për të evituar një situatë që do të sillte kolaps sportiv dhe financiar, Rusia po mendon që të braktisë UEFA-n, siç konfirmohet nga “Sky “ në Gjermani.
Deputeti i Duma-s ruse, Dmitri Pirog, ka pranuar në kanalin sportiv rus Match TV se duhet bërë lëvizja që të kalohet në AFC, Konfederatën e Futbollit Aziatik, ku vendet pjesëmarrëse nuk do të ishin kundër integrimit të Rusisë që do të shtonte konkurrencën dhe të ardhura. “Mendoj se ka ardhur koha që të mendohet seriozisht kalimi te AFC’, theksoi politikani rus, i cili kishte edhe mbështetjen e ish-futbollistit Vladimir Bistrov. “Nëse ne nuk lejohemi të marrim pjesë në aktivitetet e UEFA-s në 5 vitet e ardhshme, atëherë duhet të shohim për rrugë të tjera zhvillimi dhe mundësisht drejt tregut aziatik”.
Në këtë mënyrë, do të anashkalohej dënimi i UEFA-s dhe Rusia do të garonte si shtet në turnetë e AFC me kombëtaret e saj apo edhe me klubet.
PANORAMSPORT.AL