EKSKLUZIVE/ “E dimë me saktësi se ku kemi gabuar në Luksemburg”, Shehi: E përmbysim Dudelanzhin në Tiranë! (E PLOTË)

Orges Shehi është i bindur. Tirana e tij do ta përmbysë kundërshtarin në ndeshjen e dytë dhe skuadra do të kualifikohet në Champions League. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve foli për ndeshjen e Dudelanzhit, ndërsa nga ana tjetër, numri një i kampionëve tha se çdo gjë ka marrë fund për 90- minutëshin e parë, dhe në sfidën e dytë, Tiranës i duhet që të luajë me mendje të ftohtë. Shehi tani beson se e njeh shumë mirë kundërshtarin e tij, si dhe pranon që një prej tre lojtarëve që ka piketuar do të luajë titullar në sfidën e së martës. Në fund, Shehi thotë se është i bindur që stadiumi do të jetë plot me tifozët bardheblu, të cilët erdhën deri në Luksemburg dhe nuk do të mungojnë në kryeqytet.

SHEHI 1

Profesor, besoj se e keni riparë takimin… Si e keni parë atë humbje me mendje të ftohtë?

Patjetër, patjetër që e kam parë. Jemi më të qetë. Me më shumë fushëpamje dhe mendim tjetër. Mendoj se është një takim që të gjitha situatat mund t’i bënim më mirë. Dhe sigurisht që duam dhe do të përmirësohemi në sfidën tjetër.

Cili është pengu i atij takimi të parë që u luajt në Luksemburg për Orges Shehin?

Për sa u përket pengjeve nuk mendoj se duhet të merremi me këtë apo atë situatë. Ngjarjet ndryshojnë nga momenti në moment, por për ne në ndeshje rrodhën shumë shpejt. Të gjitha situatat e tjera ishin të evitueshme. Ato gjëra që nuk i bëmë mirë në ndeshjen e kaluar duhet t’i korrigjojmë. Të mos harrojmë që tani kemi një panoramë më të qartë për kundërshtarin. Më përpara e njihnim vetëm nga videot. Gjithë kjo tablo do të na shërbejë për ndeshjen e ardhshme.

Vesel Limaj është një mungesë e madhe. Cili do ta zëvendësojë lojtarin në fushën e lojës?

Ne dihet që kemi boshllëqe në atë pozicion dhe kërkojmë që të marrim edhe një mesfushor tjetër ofensiv. Do të kërkojmë që ta plotësojmë organikën, sepse nuk jemi të plotë. Ama në atë pozicion kemi Hilën, Kukën dhe Qefalijan. Do të zgjedhim një prej tyre që do të aktivizojmë titullar për të qenë aty. Hila ka eksperiencën, por i mungojnë minutat e lojës nga sezoni i shkuar. Dy lojtarëve të tjerë u mungon eksperienca, sepse janë të rinj. Do të zgjedhim një prej tyre, pikërisht atë që na shkon për shtat për ta filluar lojën si titullar.

Çfarë u thatë djemve në fund të 90-minutëshit të parë..

Duhet të kuptojmë se aventura në Champions ka edhe një ndeshje tjetër ose sfidë kthimi. Sigurisht që pas ndeshjes kokat janë të nxehta. Në filozofinë time gjithmonë është parimi që pas ndeshjes duhet të flasësh sa më pak, sepse adrenalina që prodhohet gjatë lojës është shumë e madhe dhe mund të çosh edhe ndonjë fjalë gabim. Pra, duhet qetësi, sepse ndeshja tjetër vjen shumë shpejt dhe i kemi të gjitha mundësitë për ta kthyer situatën në favorin tonë.

Realisht mendoni se mund ta ktheni situatën në favorin e Tiranës?

Patjetër. Kam besim realisht që mund ta kthejmë. E thashë edhe pak më parë që kemi panoramë të qartë. Luajmë në stadiumin tonë dhe në kushte të tjera, me një fushë me përmasa normale dhe jo fusha e vogël në Luksemburg. Ama gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm. Dinamika do të ndryshojë ashtu si mënyra e të luajturit, por gjithmonë me kokën e kthjellët dhe me ekuilibër, sepse ndeshja nuk mbaron për 10 minuta, por duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet të godasim kundërshtarin dhe të jemi të kujdesshëm.

Keni menduar edhe për shtesën?

Ne do të përgatitemi që ta fitojmë ndeshjen. Jemi të vetëdijshëm që fitimi i ndeshjes na kualifikon direkt ose na çon në shtesë. Pikësynimi dhe objektivi ynë ky është.

Keni një thirrje për tifozët?

Thirrje për tifozët në klubin ku ne jemi nuk ka nevojë. Tifozët e treguan edhe në Luksemburg që janë shumë dhe kam besim që do të vijnë dhe do të na mbështesin siç bëjnë edhe herë të tjera.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

EKSKLUZIVE/ “E dimë me saktësi se ku kemi gabuar në Luksemburg”, Shehi: E përmbysim Dudelanzhin në Tiranë! (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook