EKSKLUZIVE/ “Tiranë, shëno dhe do të kesh kontrollin”, Altin Rraklli: Ja çfarë duhet të bëjnë bardheblutë (E PLOTË)

Nuk janë zgjedhur rastësisht Rraklli, Dabulla dhe Salihi për t’u intervistuar para ndeshjes së sotme të Tiranës kundër Dudelanzhit. Janë të tre ishlojtarë bardheblu që kanë kontribuar me nga një gol për përmbysjen e fundit të Tiranës në Champions. Bëhet fjalë për ndeshjen e vitit 2005, kur kampionët e Shqipërisë kishin humbur ndeshjen e parë 2-0 me Goricën dhe fituan në ndeshjen e kthimit me rezultatin 3-0. Secili rrëfen përjetimet e veta dhe jep këshilla për mënyrën se si duhet të veprojë skuadra e Shehit sot në fushë që të mund ta kalojë turin. Altin Rraklli thotë se lojtarët duhet të jenë të ftohtë, të mos ndikohen nga tifozët dhe të shënojnë sa më shpejt golin e parë pa lënë hapësira pas. “Nëse Tirana arrin të shënojë e para, do të shihni se do ta marrë ajo kontrollin e lojës”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ishsulmuesi i Kombëtares shqiptare. Në fund, ai ka edhe një apel për futbollistët e Kombëtares që luajnë në nivele të larta, por me fanellën kuqezi nuk po shkëlqejnë dot. “Mjaft me egoizmin. Kur është për të pasuar duhet të shërbesh për shokët. Ndryshe nuk fiton dot Shqipëria”, thotë kavajasi.

ALTIN RRAKLLI

Tirana ka nesër një ndeshje të rëndësishme kundër Dudelanzhit, sepse të parën e ka humbur 1-0. Përmbysjen e fundit në Champions e ka kundër Nova Goricës 3-0, ku ju keni shënuar gol… Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?

Atë ndeshje e mbaj mend shumë mirë. E kam shumë të qartë, sepse edhe unë nuk është se kam pasur shumë evenimente në Champions League dhe më kujtohet mirë….(qesh). Në ndeshjen e parë atje, ne kemi zhvilluar një lojë të dobët. Mirëpo, e kuptuam edhe vetë që nuk kishim dhënë më të mirën dhe më pas vendosëm që t’i luajmë të gjitha shanset. Kishim vetëbesim. Kjo është shumë e rëndësishme. Por më vjen pak keq për Tiranën në këtë moment, sepse mendoj se duhej ta kishte shmangur humbjen atje në Luksemburg.

Pse mendoni kështu?

Sepse kam përshtypjen që e nënvlerësuan disi kundërshtarin. Duhet të kishin parasysh se ekipi i Dudelanzhit në 10 vitet e fundit ka bërë progres. Ka shkuar dy herë në fazën e grupeve.

Tiranës i ka ikur vetëm Hoxhallari nga titullarët, kaq shumë u ndie mungesa e tij?

Hoxhallari është shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se ai i ka prishur shumë punë Tiranës si skuadër. Hoxhallari jo vetëm që ishte kapiteni, por ishte një pikë e fortë që i mungon ekipit. E kuptoj që një lojtar nuk e bën dot gjithë ekipin dhe kjo as diskutohet, por kam përshtypjen se e nënvlerësuan pak atë ndeshje. Ndoshta janë çuna të rinj, ndoshta nuk e kanë idenë që ky ekip vitet e fundit ka bërë shumë ndryshime në futbollin luksemburgas.

Si mund t’ia dalë Tirana në ndeshjen e nesërme (sotme)?

Nëse Tirana në këtë ndeshjen e kthimit do të mobilizohet, jo 100 për qind, por më shumë se 100 për qind të forcave të veta, pra ta marrë shumë seriozisht ndeshjen, besoj se duhet ta përmbysë. E ka detyrim që ta përmbysë.

Pse e ka detyrim? Edhe të tjerët dinë të luajnë futboll…

Mendoj se do të ishte një goditje shumë e madhe për Tiranën nëse eliminohet në turin e parë të këtij evenimenti. Dudelanzhi është një skuadër që të nxjerr shumë probleme nëse nuk impenjohesh, por ama nëse luan me të gjithë potencialin Tirana, jam i bindur se i mund dhe i kalon.

Si duhet të sillesh në ndeshje si këto?

Së pari duhet të mendojnë se edhe ne dikur, me ato mundësi që kishim, kemi përmbysur kampionët e Sllovenisë. Dakord, Sllovenia nuk është se kryeson në majat e futbollit europian, por qëndron diku nga mesi. Thjesht duhet të jenë të përqendruar dhe të duruar. Ndeshje si këto duan durim dhe pak fat. Atëherë ne në ndeshjen e kthimit patëm dhe pak fat të them të drejtën…

Pse patët fat?

Sepse ata në 15 minutat e para të ndeshjes, nuk e di se për çfarë arsye ndodhi, por na rrezikuan nja tri herë me raste të pastra fare. Sikur një gol të shënonin ata, mbyllej gjithçka. Sepse mos harroni se ishte në fuqi edhe rregulli i golit jashtë fushe… Por direkt pas rastit të tretë të tyre sikur ndryshoi loja si me dorë. Pra, ne e kontrolluam ndeshjen gjatë gjithë kohës së mbetur deri në minutat e fundit dhe arritëm të shënonim dhe tre gola.

Cili ishte çelësi i suksesit të asaj ndeshjeje sipas jush?

Mendoj se ishte intensiteti i madh i lojës sulmuese që ne zhvilluam. Kishim lojtarë të mirë në atë kohë, kishim ekip të frikshëm dhe sa herë sulmonim rrezikonim për gol. Kjo na çoi pastaj drejt kualifikimit.

Kemi folur dhe me Dabullën, që gjithashtu ka shënuar në atë ndeshje, dhe ai tha që, ndonjëherë kur luan në fushën tënde ka vështirësi të madhe. Kjo, sepse ndonjëherë duhet të dish të menaxhosh dhe presionin e mirë që bëjnë tifozët e tu… A jeni dakord?

Është e vërtetë. Lojtarët e Tiranës duhet të jenë të qetë dhe shumë të ftohtë. Këshilla që kam është që duhet të jenë shumë të ftohtë, të qartë në atë që duan dhe në veprimet që bëjnë. Pra, fillimisht ta baraspeshojnë ndeshjen dhe atëherë jam i bindur se do të marrin çdo gjë në kontroll. Nëse ndodh kështu, duhet të jenë të qetë dhe të duruar sepse me kalimin e minutave do të kenë mundësi edhe për të shënuar golin e dytë. Pra, duhet të mos rrëmbehen nga tifozët. Ne e kemi në traditën tonë, që edhe përpara nxehmjes fillojnë të bërtiturat, lodhen gjatë pjesës së parë dhe në pjesën e dytë bien në qetësi e nuk kanë më zë tifozët tanë (qesh). Por duhet ta anashkalojnë këtë punën e tifozllëkut, sepse kur mendojnë se u duhet goli patjetër lënë hapësira të rrezikshme dhe ne pastaj pësojmë gjithmonë gol. Besoj e kanë kuptuar që kundërshtari ka një skuadër shumë të “hidhur”. E kanë traditë, që në momentin e parë që hapesh pak ata të kapin mat.

Një pyetje që është e pashmangshme: ekipi ynë kombëtar sot ka Asllanin që shkoi tek Interi, ka Brojën që është në qendër të merkatos në Britani… Pra, një brez që luan në nivele të larta, por kur veshin fanellën kuqezi nuk arrijnë të kenë rendimentin e duhur. Ju si mendoni?

Është e vërtetë. Nga ana individuale kemi lojtarë shumë të mirë. Pavarësisht se unë jam i mendimit se lojtarët e rinj nuk duhet të fryhen aq shumë sa janë fryrë në Shqipëri. Pra, bëjnë një ndeshje, dy, dhe ky opa: “ky është më i miri i të gjitha kohërave ose kjo Kombëtarja më e mirë e gjithë kohërave…”. Jo kështu. Janë ca epitete dhe ca deklarata të njerëzve të futbollit dhe të mediave që e çekuilibrojnë lojtarin për nga mënyra e vet e të luajturit. Broja në Angli po bën mirë dhe me ekipin kombëtar ka bërë ndeshje të mira, por jo stabile, pra që të jetë gjithmonë i të njëjtës ecuri.

Pse ndodh kjo?

Ndoshta edhe nuk ka qenë në formën fizike më të mirë nga dëmtimi, por ne ama lojtarët duhet t’i lëmë të qetë. Duhet të merremi me ekipin kombëtar, pra do t’u kërkojmë llogari lojtarëve në momentin që vijnë në ekipin kombëtar. Në momentin që luajnë me ekipin kombëtar, të japin maksimumin, të mos luajnë për veten në këtë ekip, sepse Kombëtarja nuk është fanellë klubi.

Çfarë doni të thoni?

Edhe ne në kohën tonë kemi pasur lojtarë egoistë, por në atë kohë lojtarët ishin në hall.

Pse ishin në hall?

Sepse ata duhet të binin në sy me Kombëtaren që të gjenin ndonjë ekip ose klub më të mirë për përfitime ekonomike. Ndërsa këta futbollistë sot i kanë klubet, pra luajnë me skuadra të mira. Por kur vijnë në ekipin kombëtar duhet të japin për këtë ekip. Të mos tregohen egoistë, të pasojnë te shoku nëse ai është në një pozicion më të mirë, që Shqipëria të fitojë. Kjo vjen bëhet një punë e mirë sensibilizuese dhe mentaliteti i mirë që u ofrohet këtyre lojtarëve si nga stafi teknik, ashtu edhe nga mediat. Këtë mendoj unë, çdo gjë tjetër pastaj duhet të bjerë automatikisht.

JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Kundër sllovenëve na nderoi edhe Hidi”, Hamdi Salihi: Tirana sonte në Champions duhet që…


Loading…

Loading…

EKSKLUZIVE/ “Tiranë, shëno dhe do të kesh kontrollin”, Altin Rraklli: Ja çfarë duhet të bëjnë bardheblutë (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook