Shkrimtarja Mimoza Ahmeti është dënuar nga Gjykata me 40 orë shërbim për komunitetin me akuzën për ndërtim pa leje. Kjo, pasi nuk kishte marrë leje për rindërtimin e shtëpisë së shembur sipas saj nga tërmeti i 26 nëntorit. Ngjarjet janë zhvilluar në vitin 2021, ndërsa punimet kishin nisur në muajin maj.
Në shkresën e prokurorisë për gjykatën, thuhet se shkrimtarja Ahmeti ka deklaruar se ishte në procedurë për të marrë lejen e rindërtimit.
“E pyetur lidhur me këtë fakt shtetasja Mimoza Ahmeti ka deklaruar se punimet janë kryer në vendin e shtëpisë së saj ekzistuese e cila u shemb nga tërmeti.
Ajo disponon certifikatë pronësie për pasurinë me nr.524/1/1 ZK 2947 Tiranë me sipërfaqe totale 300 m2. Në lidhje me këto punime ajo deklaron se është në procedurë për të marrë lejen e rindërtimit dhe punimet janë kryer nga muaji maj i vitit 2021”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.
Por ndërkohë nga ana e drejtorisë së Bashkisë, Ahmeti nuk rezulton të ketë kërkuar leje.