“Kemi ndjekur rregullat”, Elez Gjoza: Vonesat prej eventeve, trajnerit dhe… ekonomistes

Lidhur me çështjen e shpërblimit të Briken Caljes ka reaguar gjithashtu edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza pranon vonesat nga federata në kalimin e shpërblimit, si dhe shpjegon shkaqet. Gjithsesi, kreu i shtangës thotë se sportistit i janë kaluar paratë ditën e enjte dhe se sot do t’i akordohet edhe pjesa e fundit. “Sportistit i janë kaluar lekët ditën e enjte, federata nuk merret me bankat”, janë fjalët e para të Gjozës, i cili më tej vijon:

ELEZ GJOZA 1

“Si asnjëherë tjetër qeveria shqiptare ka vendosur një shumë të jashtëzakonshme shpërblimesh për sportistët, si asnjë vend tjetër i botës. Ministria e linjës i ka dërguar në thesar në llogari të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes shpërblimet për të gjithë sportistët. Të gjithë sportistët kanë marrë shpërblimet e tyre”, thotë Gjoza.

Numri një i shtangës shqiptare më pas jep versionin e tij mbi vonesat në kalimin e parave për Caljen, duke u shprehur se bëhet fjalë vetëm për çështje ditësh: “Të enjten ka qenë radha për Briken Caljen, sportistin e fundit, që ka marrë shpërblimin, kjo pasi federata ka qenë shumë e zënë me punë. Kemi pasur zgjedhjet për presidentin e Federatës Botërore, gjithashtu kemi pasur Europianin për të bërë. Ekonomistja u largua me leje, çështje një jave. Lekët kanë qenë te ne, në federatë, por siç e thashë ka qenë vetëm çështje ditësh.

Të enjten Briken Caljes i kanë kaluar 178 milionë lekë të vjetër me faturë nga thesari. Tani thesari i dërgon në bankë dhe më pas banka i dërgon te sportisti”, thotë Gjoza. Sipas presidentit të FSHP-së, një tjetër arsye që ka ndikuar në këtë vonesë ka qenë edhe vendimi i trajnerit Gerald Toska, për t’i kaluar paratë e tij në llogarinë e peshëngritësit: “Gjithashtu ka qenë edhe një ngërç tjetër, pasi trajneri ia ka kaluar edhe shpërblimin e tij Brikenit. Këtë federata nuk mund t’ia japë dot pa marrë një noteri, një prokurë, sepse nesër ngrihet trajneri dhe na hedh në gjyq ne për shumën që delegojmë. Pra, një tjetër vonesë ka ardhur edhe për shkak të prokurës së trajnerit, pasi u desh një tjetër dokumentacion shtesë. Federata ka qenë e superngarkuar në këtë periudhë”.

Më pas Gjoza pranon se FSHP duhet t’i kalojë edhe 10 milionë lekë të vjetër Caljes, por këtë veprim do ta bëjë ditën e sotme, duke sqaruar se federata ka ndjekur çdo procedurë ligjore: “Kemi pasur një ngërç ne si federatë për 10 milionë lekë të vjetër në shumën totale prej 430 milionë lekësh, por edhe kjo shumë do t’i kalojë sportistit nesër (sot), pra shifra e fundit prej 10 milionë lekësh. Këtu nuk ka asnjë gjë të madhe për t’u bërë e gjithë kjo gurgule, pa lidhje. Çdo gjë ka qenë çështje ditësh për shkak të procedurave, dhe federata ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore.

Qeveria ka dhënë shpërblimin, ministria e linjës i ka sjellë në thesar në llogari të federatës dhe ne i kemi shpërndarë, duke filluar që nga Samuel Bishanaku, Krenar Shoraj, Evangjelia Veli, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja. Të pestë sportistët kanë marrë shpërblimet.

Thesari i ka çuar nëpër banka dhe askush nuk është pa marrë shpërblimet dhe gjithçka mbyllet ashtu sikurse e thashë, me Briken Caljen, të cilit nesër (sot) sa të hapen bankat do t’i kalojnë edhe 10 milionë lekë të vjetër. Këtë gjë ia kam thënë edhe vetë Brikenit. Këto punë nuk bëhen brenda ditës, nuk kalojnë 430 milionë lekë brenda ditës, pasi janë çështje bankash, rregullash dhe ligjesh. E rëndësishme është që të gjithë sportistët i morën paratë, pasi qeveria dhe ministria ua kanë dhënë dhe federata ua ka kaluar”, përfundon prononcimin e tij Elez Gjoza.

Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

“Kemi ndjekur rregullat”, Elez Gjoza: Vonesat prej eventeve, trajnerit dhe… ekonomistes

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook