“Përfunduam në SPAK për…”, Veliaj flet për paqësim kombëtar: Kur ndërton shkolla dhe çerdhe nuk mund ‘të shqyesh’ njerëz për politikë

Erion Veliaj

Në një lidhje direkte në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka folur për sulmin kibernetik që goditi vendin, ku deklaroi se pa ndihmën e SHBA-ve rikuperimi në kohë nuk do të ishte i mundur.

Po ashtu Veliaj i ka bërë apel edhe palëve të tjera politike ku ka deklaruar se “është e trishtë se si anëtarët e opozitës gëzohen në një rast të tillë, ndërsa ambasadorët e vendeve të huaja si SHBA apo ajo e BE e mbrojnë vendin.”

“Ambasadorja Kim dhe unë kemi dëshirën për ta kthyer Tiranën në qendrën e diskutimeve të tilla si rinia, sporti dhe dixhitalizimi. 6 ambasada të rajonit që kishin sjellë përfaqësues dhe ekspertët më të mirë në Tiranë. Është i paevitueshëm koordinimi i gjithë problematikave në lidhje me sulmin kibernetik, pa ndihmën e Amerikës nuk do ishim rikuperuar në kohë. Shumë kompani po e shohin Tiranën si një vend që ka një popullsi të re, po mësohet kodimi që në klasë të parë, qyteti po i kthehet të rinjve, të cilët nuk detyrohen të marrin gomone për të bërë punë të mbrapshta në Londër, por një rrugë që afatgjatë të paguan mirë dhe të mban pranë familjes tënde.
Apeli im është që kur sheh se ambasadorët e vendeve të huaja e mbrojnë vendin më shumë se partitë politike që gëzohen se ndodhi ky sulm është diçka shumë e trishtë. Njëri ka hall që është spiun, tjetri nuk shkon dot në Amerikë e tjetri është paguar nga rusët, por hallet e tyre nuk duhet të bëhen të qytetarëve. Por t’i gëzohesh sulmit të Iranit, kjo është shumë e trishtë”, tha Veliaj.

Veliaj pohoi se tashmë ka ardhur koha për paqësim kombëtar dhe jo të bëhet zhurmë për gjithçka që ndërtohet në kryeqytet. Ai theksoi se kur ndërtohet një shkollë apo çerdhe, njerëzit nuk mund të ‘shqyen’ për politikë.

“Pyetja që kam është: pse jemi mallkuar që ne duhet çdo gjë ta bëjmë me kaq shumë mund? Pse duhet të protestojmë tre vjet për Astirin, dhe sot kemi një rrugë që ka zhbllokuar trafikun, si “Shqiponja”? Pse duhet të punojmë tre vjet, sherr e shamata, shko në Prokurori, në SPAK shko nëpër gjyqe, për “Sami Frashërin”? Pse duhet të bëjmë të njëjtën gjë për rindërtimin në Kombinat? Pse duhet të bëjmë të njëjtën gjë për rindërtimin te “5 Maji”? Harxhojmë kohë shumë të çmuar. Edhe kur dëgjoja dje eksponentë të opozitës, po i shikoja në televizionin tuaj, që thoshin jo po shkollat me dy turne, thashë po si ka mundësi që në vend që t’i ndihmojmë prindërit dhe të themi në zonën e “Jeronim De Radës” aty ku zonja e opozitës jepte intervistë, ne sapo kemi mbaruar edhe shkollën “Hasan Vogli” dhe shkollën “Qazim Turdiu”. Shkollat janë bërë tre herë më të mëdhaja, dhe në disa shkolla ne kemi një të tretën e kapacitetit, dhe në disa shkolla ne kemi dyfishin e kapacitetit, mjafton vetëm të ndahemi, pra të vazhdosh të marrësh diplomën e “Jeronim De Radës”, e kuptoj që për kushtet më përpara të gjithë vajtëm dhe u palosëm në një shkollë, po tani që na janë liruar, mund të shkojmë të gjithë në shkollë paradite. Pra këtu opozita duhet të thotë, ej për kalamajtë nuk do bëjmë politikë, ne do të ndihmojmë qeverinë, do të ndihmojmë bashkinë që të ndahen të gjithë në këto shkollat e reja. Në vend që të bëjmë këtë, i fryjmë kësaj histerisë që është pa sens, a thua se nuk jetojmë në një qytet, nuk marrim të njëjtin oksigjen, nuk ecim në të njëjtat rrugë.
Ndaj dhe unë besoj që ka ardhur koha për një pajtim të madh kombëtar. Nuk duhet të vazhdojë kjo histori. Kur vjen puna tek çerdhet, tek kopshtet, tek shkollat, tek hapësirat publike, tek autostradat, tek Unaza e Madhe që na lidh të gjithëve, ne nuk i pyesim fëmijët në shkollë je i majtë apo je i djathtë, apo si kanë votuar prindërit dhe gjyshërit. Apo nëse kanë qenë partizanë apo ballistë, ne themi të krijojmë një shkollë të re, që çliron shkollën tjetër, dhe në vend që të përdorim për histeri dhe për politikë, dhe për titrat e ditës një situatë, ne duhet të ndihmojmë. Edhe unë besoj që mënyra më e mirë për të ndihmuar, është duke bashkëpunuar. Në fund të ditës jemi shqiptarë, do kemi një ballafaqim në zgjedhje vitin tjetër, dhe unë mezi pres të shoh kush janë kundërshtarët, kush janë kandidatët e tjerë, çfarë idesh ka, çfarë mund të bëjmë më mirë, patjetër. Po deri në atë moment duhet të lejohemi që të punojmë.”, tha ai.

Arena e Lajmit

“Përfunduam në SPAK për…”, Veliaj flet për paqësim kombëtar: Kur ndërton shkolla dhe çerdhe nuk mund ‘të shqyesh’ njerëz për politikë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook