Ditën e sotme klubi i Bylisit mbush 50-vjeç që nga dita e themelimit. Klubi ballshiot u ngjit këtë sezon në Kategorinë Superiore dhe e feston si duhet këtë ditëlindje në elitë. Në një postim në profilin e saj të rrjetit social “Facebook” Bylisi bëhet nostalgjik duke kujtuar dhe vitet më të suksesshme të klubit.
POSTIMI I KLUBIT TË BYLISIT –
“Gëzuar 50-vjetorin klubi ynë, klubi i të gjithë mallakastriotëve!
#forcabylis #njeklubshumezemra
Krahina e Mallakastrës krenohet për shumë arsye për datën 14 Korrik, sepse në vite të ndryshme, por me vendndodhje të njëjtë, janë marrë vendime me rëndësi.
Veç 3 Besëlidhjeve të Poçemit, 14 Korriku i vitit 1972 do të ishte vendimtar për jetën sportive të qytetit tonë, atëherë i sapoformuar. Ballshi organizoi skuadrën e parë të futbollit që u përfaqësua në Kategorinë e Tretë. Më pas çdo gjë është histori, mund ta quajmë histori suksesi!
I jemi mirënjohës çdokujt që na dha një dorë që të ndërtojmë këtë klub, çdokujt që na duartrokiti e çdokujt që na dha një kritikë kur e merituam!
Mbi të gjitha falenderim i madh shkon për brezat që veshën dhe respektuan fanellën tonë, për trajnerët, mjekët, infermierët, gazetarët, komentatorët e deri te punëtorët e fushave, ata që në të vërtetë kanë ndërtuar atë që ne sot me krenari e quajmë Klubi i Futbollit BYLIS!
Padyshim që nuk duam të harrojmë në këtë ditë të shënuar të gjithë ata që hoqën paratë nga kursimet e tyre për të mbajtur gjallë pasionin, duke nisur me familjen Jahaj (Astir sha), familjen Zeqiraj (Isa Zeqiraj), familjen Harizaj (Vullnet Harizaj), familjen Hoxhaj (Xhemil Hoxhaj), familjen Sulaj (Besnik Sulaj), familjen Malollari (i ndjeri Edmond Malollari) si dhe së fundmi familjen Kapllanaj (Besnik Kapllanaj), të cilët kanë 17 vite që mbajnë këtë skuadër në nivele të larta. Pa harruar Uzinën e Naftës që në periudha të ndryshme e ka mbajtur gjallë sportin e krahinës sonë.
Skuadra e futbollit të qytetit tonë fillimisht u quajt 14 Korriku, më pas Ballshi i Ri dhe në periudhën pas viteve 90 mori emrin që ka dhe sot, Bylis.
Ndër periudhat më të suksesshme për Bylisin kanë qenë:
-Sezoni 1995-96 kur u shpallëm kampionë të Kategorisë së Dytë dhe u ngjitëm për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar. Atë vit Bylisi arriti që të shënonte 124 gola në total dhe të pësonte vetëm 21. Prestigjozja “France Football” (sot jep çmimin “Topi i Artë”) atëherë shkroi dhe artikull të veçantë për këtë skuadër, që ishte e para në botë për numrin e golave të shënuar dhe të pësuar.
-Sezoni 1998-1999 ku në tabelën e renditjes regjistronim 59 pikë, 2 më pak se Tirana që u shpall kampione. Këtë vit morëm pjesë për herë të parë në Kupën UEFA. U ndeshëm me Inter Bratislava ku u mundëm në dy takime me rezultatin e përgjithshëm 5-1 (3-1 / 0-2). Goli i vetëm për ne u shënua nga Hekuran Jakupi në ndeshjen e parë që u zhvillua në Sllovaki.
-Sezoni 2000-01, renditemi të pestët në tabelën e Superiores. Marrim pjesë në Kupën Intertoto ku në short gjetëm rumunët e Universitatea Craiova. Ndeshja e parë përfundoi 3-3 në Rumani dhe e kthimit u humb 0-1 në “Qemal Stafa”. Autorë të golave: Shpëtim Ymeraj, Anesti Vito dhe Fjodor Xhafa.
-Sezoni 2012-13, finalistë të Kupës së Shqipërisë. Në gjysmëfinale eliminojmë Skënderbeun me rezultatin e përgjithshëm 2-1, ndërsa në finale gjetëm Laçin ku morëm humbjen e pamerituar 1-0 në kohën shtesë.
-Sezoni 2022-23, ne do të jemi pjesëmarrës në elitën e futbollit të vendit tonë falë investimit të pakursyer të familjes Kapllanaj dhe presidentit në veçanti Besnik Kapllanaj.
Gëzuar 50-vjetorin klubi ynë, klubi i të gjithë mallakastriotëve!
#forcabylis #njeklubshumezemra”
– Arena e Lajmit
Loading…
Loading…