Ndonëse ishte diskutuar bindshëm në dy vitet e fundit, nga sezoni i ardhshëm, Shoqata Italiane e Arbitrave (AIA) ka dhënë lejen që “bilbilat” italianë të mund të komentojnë paraqitjen e tyre përballë medias së pranishme në stadium.
Sigurisht që nëse gjithçka do të shkonte mirë për kryesorët dhe ndihmësit e tij, do të ishte diçka e bukur që ndonjëherë edhe gjyqtarët të merrnin ndonjë kompliment “live” për performancën e tyre, por nëse do të ndodhte ndonjë gabim, sigurisht që një deklaratë pas ndeshjes mund të mbante disi më gjatë gjakrat ndezur, edhe pse për momentin problemi është një tjetër. Pas lajmit se arbitrat mund të flasin, AIA papritur është rrethuar nga një hije skandali, duke qenë se “xhaketat e zeza” do të mund të japin opinionin apo të tregojnë emocionet e tyre vetëm për një televizion.
Kaq ka mjaftuar që të shpërthejë një kërkesë e madhe për të pasur këtë risi të rëndësishme në Serinë A. Madje, thashethemet e para ishin se ekskluzivitetin e marrjes në intervistë të arbitrave e kishte fituar pa tender emisioni historik, “90 minuto” në televizionin “RAI2”, por këtë fakt e ka përgënjeshtruar shefi i Shoqatës së Arbitrave Italianë, Alfredo Trentalanxh: “Është e vërtetë, nuk dua ta fsheh se AIA ka marrë shumë oferta nga media të ndryshme, për të pasur ekskluzivitetin e fjalës së arbitrave tanë pas ndeshjeve.
Jemi të lumtur që menjëherë kjo risi jona të ketë fituar të gjithë këtë vëmendje, por në të njëjtën kohë dua që të përgënjeshtroj faktin se kemi arritur tashmë një akord me emisionin ’90 minuto’. Ky lajm nuk është aspak i vërtetë, por për gjithçka do të marrim një vendim së shpejti, duke u rakorduar edhe me Federatën Italiane të Futbollit. Madje, në rrjetin që ne do të zgjedhim të flasim, të njëjtat valë do t’i përdorim për të raportuar edhe risitë që do të mund të shtojmë gjatë sezonit apo sezoneve në vazhdim”, u shpreh presidenti.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…