Metoda e ndryshuar dhe klubi, rrëfehet Pioli: Gati për të tjera beteja, duam të bëjmë historinë e Milanit

Milano është epiqendra e sportit italian falë Milanit dhe Olimpias së Milanos që kanë fituar kampionatet përkatëse në futboll dhe basketboll. I ftuar në një event të sponsorit BMW, Stefano Pioli ka dhënë një intervistë krah homologut të koshit, Etore Mesina.

PIOLI

Si është të përjetosh majën e Serisë A?

Fitoret kudo janë speciale, por sidomos në një qytet si Milano. Në qendrën stërvitore të klubit janë të varura fotografitë e fitoreve më të mëdha të klubit. Ka trajnerë e lojtarë legjendarë. Për mua dhe lojtarët e mi është shumë stimuluese t’i shohim çdo ditë e të përpiqemi t’i imitojmë. Titulli erdhi edhe falë dëshirës për të qenë pjesë e atyre fotove.

Sivjet do të duhet të konfirmoheni. E ndieni presionin?

Të gjithë jemi në presion të vazhdueshëm. Luajmë çdo tri ditë, por bilancet janë të përditshme. Mua trysnia nuk më shqetëson, madje e kam të nevojshme për të arritur rezultate. Mendoj se kam arritur një ekuilibër që më ndihmon të izolohem.

Kaq i nevojshëm është ky ekuilibër?

Po, sepse nuk mund të shqetësohemi për ato që thuhen nëpër media. Personalisht mendoj se nuk ka balanca në gjykim, si për mirë edhe për keq. Megjithatë, mundohem të mbaj një nivel të lartë besimi te futbollistët e mi.

A ka ndonjë sekret Milani juaj?

Atë që duhet të ketë çdo grup ambicioz: të kërkojë gjithmonë përmirësimin dhe të ketë kurajë për objektiva edhe në përditshmëri. Mendoj që përpara se të kërkohet suksesi duhet vizualizuar rrugëtimi dhe shtigjet.

Ju kur e keni nisur karrierën si trajner?

Që në vitin 1999 kur mundohesha të bëja çdo gjë vetë. Tani puna ime është e fokusuar, por kam një staf që studion çdo aspekt. Jam i lumtur për profesionin sepse kam pasur fatin të punoj me ekipe të përbëra nga djem me kultura të ndryshme. Larmia në karaktere dhe mendësi duhet pranuar, ndaj edhe suksesi bëhet më i ëmbël kur ke një grup me shumë diferenca. Tani që njihemi më mirë mendoj se jemi edhe më të fortë.

Sa ka ndryshuar metodologjia e punës suaj ndër vite?

Shumë. Siç e thashë, kam përparësitë e mia dhe delegoj shumë gjëra, por në fund informohem për gjithçka. Duke qenë unë qendra më duhet të njihem me çdo situatë në mënyrë që të jem në gjendje të ballafaqohem me këdo. Komunikimi duhet të jetë konstant dhe i shpeshtë. Ka shumë rëndësi që të kem përgjigje për çdo pyetje pasi vetëm kështu jam koherent dhe i besueshëm.

Po situatat në dhomat e zhveshjes si kanë ndryshuar me kohën?

Tashmë gjithçka ka ndryshuar, tani nëse hyj në dhomat e zhveshjes dhe ka heshtje, shqetësohem. Zakonisht ka gjithmonë muzikë të lartë deri në sekondën e fundit. Për mendimin tim janë dukuri: është muzikë që nuk dëgjohet, të paktën për shijet e mia, edhe pse kohët e fundit jam modernizuar. Por dikur, po të dëgjohej muzikë në dhomat e zhveshjes, dukej sikur ekipi nuk ishte i fokusuar. Ja që në ditët e sotme lojtarët fikin muzikën, futen në fushë dhe janë gati. Duhet të përshtatemi. Gjëja më e vështirë, por edhe më motivuese, është të bashkojmë shumë karakteristika mendore dhe kulturore për të gjetur atë ekuilibër që na lejon të punojmë së bashku me disponueshmëri të madhe, që mendoj se është termi më i mirë i mundshëm.

Vërtetë tifozët ndikojnë aq shumë në rezultatin e një ekipi?

Tifozët janë fantastikë. Mbështetja e tyre ishte pjesë e rrugëtimit tonë drejt titullit. Nuk kishim fituar prej shumë kohësh. Fakti që nuk e nisëm si favoritë, që jemi një ekip shumë i ri dhe mënyra se si luajmë i përfshiu të gjithë. Tifozët janë një aspekt themelor që do t’i japë akoma më shumë besim të gjithë ekipit gjatë këtij sezoni.

Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Metoda e ndryshuar dhe klubi, rrëfehet Pioli: Gati për të tjera beteja, duam të bëjmë historinë e Milanit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook