Ishte ekipi i vetëm pa trajner, por edhe Burreli më në fund vendos.
Renato Hoti është emëruar zyrtarisht për këtë rol, ndërkohë si konsulent do të jetë Baftjar Punavija dhe si zëvendës Ermir Dika.
Prezantimin e stafit teknik e bëri në ambientet e stadiumit “Liri Ballabani” vetë administratori Marjan Lleshaj dhe drejtori teknik Klevis Gjoka. Gjatë fjalës së tij para futbollistëve të pranishëm, tekniku tha:
“Do të jetë një sezon i vështirë për vetë formulën në të cilën po aplikohet në Kategorinë e Parë, ku 4 skuadra zbresin dhe 2 ngjiten më lart.
Megjithatë, ne do të punojmë fort që të arrijmë aty ku e ka vendin Burreli dhe jo në fund të tabelës. Përgjegjësia e secilit do të vijë me kohën, teksa do të nisim zyrtarisht përgatitjen e sezonit të ri.
Do të jetë një verë përgatitore e gjatë dhe besoj që shtatori na gjen të kompletuar dhe të gatshëm për garën zyrtare”.
Në ditët në vijim pritet që të hapet edhe merkatoja e verës për matjanët. Duhet thënë se largimet janë në masë dhe kryesisht në radhët e “jabanxhinjve”, si Jetmir Basha, Andri Stafa, Markovanbasten Çema, Francesko Daija, David Gjinollari, Florian Trokthi, Efijong Ejoh e Paulo Silva Zhunior.
DRITAN KURTI – Arena e Lajmit
Loading…