Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarin Klevin Muka në News24 është diskutuar mbi taksimin e profesioneve të lira, ndërsa çështja është në Kushtetuese, ku pritet që brenda pak ditësh kjo Gjykatë të japë një vendim.
Për 169 profesiona ka ndryshuar tatimi, ku përfshihen mjekë, infermierë, fizioterapistë, avokatë, juristë, auditues ligjorë e financierë etj, në total rreth 29 mijë persona do të taksohen, referuar ligjit të miratuar.
Eksperti kontabël Altin Sulejmani tha se nuk bëhet fjalë për 29 mijë persona, por për 29 mijë familje. Ai tha se mungon një relacion serioz që nga momenti i hyrjes së ligjit në fuqi.
Ai tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë taksimin e profesioneve të lira, duke theksuar se ka amulli dhe vakuum ligjor, përsa kohë në taksim përfshihen disa kategori dhe lënë jashtë disa kategori të tjera.
“Impakti i të gjithë kësaj manovre nuk kalon 60-70 mln euro në rastin më të mirë. Unë kam informacione të cilat na thonë se buxhetet e ministrive po mbeten të pazbatuara për shkak të amullisë që është krijuar në administratë, ne kemi një buxhet të parealizuar dendur këtë 5 mujor”, tha Sulejmani.
Ai u shpreh se kanë munguar konsultimet me palët e interesuara, duke shtuar se i bënte thirrje Gjykatës Kushtetuese që të bëjë një gjykim më të thellë lidhur me çështjen e taksimit të profesioneve të lira.
“Duhet të marrë fund kjo historia e ndryshimit të normës tatimore, paktetat fiskale duhet të jenë të qëndrueshme, kjo ndikon te bizneset. Nuk mund të pretendohet që të thithin biznese të huaja në një vend që ndryshon normat tatimore sot për nesër. Kryeministri premtoi tatim 0 deri në 2029, ndërkohë janë 29 mijë familje që taksohen”, tha Sulejmani.