Fati i profesioneve të lira në Kushtetuese, dilemat e vendimit të 25 qershorit

Çfarë vendimi pritet të marrë Gjykata Kushtetuese në seancën e 25 qershorit? Opinionet e juristëve ndahen për vendimmarrje të favorshme, por edhe për mosshfuqizim të ligjit, të orientuar nga analiza e argumenteve të paraqitura nga palët mbrojtëse të politikës së re fiskale dhe vendimmarrjet e mëparshme të Kushtetueses pas vetingut.

Pritshmëritë e juristëve ndahen për vendimmarrje të favorshme dhe negative kundrejt padisë për profesionet e lira në seancën e ardhshme. Gjykata Kushtetuese pritet të japë konkluzionet përfundimtare më 25 qershor ndaj ankimeve për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Brenda pak muajve nga hyrja në fuqi e tij, ligji është paditur katër herë, pasi për deputetët e opozitës, kontabilistët dhe juristët, shkel parimin e barazisë mes tatimpaguesve dhe cenon sigurinë juridike.

Për juristin Aigest Milo, njëkohësisht edhe përfaqësues ligjor për padinë e Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), pritshmëritë janë për vendim pozitiv kundrejt kërkesës për shfuqizimin e ligjit.

Milo thekson se parashikimet e tij mbështeten te paqartësia e shfaqur te përfaqësuesit e institucioneve shtetërore për zbatimin e ligjit dhe mungesa e analizës për efektet e vendosjes së taksimit progresiv te profesionet e lira, kur bizneset e tjera do të vijojnë me zero taksim edhe 6 vjet.

“Si në çdo çështje që shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit ka një pavarësi të gjerë në vendimmarrjen e saj, e cila sigurisht nuk mund të pararendet. Gjithsesi, nga seanca maratonë ditën e martë, mund të nxjerrim disa konkluzione, të cilat mund të na orientojnë për vendimin e pritshëm.

Së pari, duhet të theksojmë që u kuptua nga pyetjet që bënë se kryetarja dhe anëtarët e gjykatës kishin kuptuar qartë problematikat e ngritura dhe parimet kushtetuese, të cilat pretendohet se janë shkelur. Ky element i rrit pritshmëritë për një vendim të favorshëm për kërkuesit.

Së dyti, dhe në vazhdim të sa më lart, rezultoi mjaft qartë nga prapësimet, por edhe nga përgjigjet që ju dhanë pyetjeve, se Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, nuk kishin bërë një analizë të mirëfilltë përpara se të projektonin diferencimet në taksim dhe se nuk kishin ndjekur siç duhet të gjithë rrugëtimin ligjor dhe procedural të kërkuar nga kuadri ligjor.

Si rrjedhim, pritshmëritë për një vendim pozitiv sigurisht që janë rritur, por mbetemi në nivelin e supozimeve pasi nuk ndodh rrallë në sistemin gjyqësor shqiptar që këto pritshmëri rrëzohen kur shpallet vendimi”.

Avokatë të tjerë anëtarë të Dhomës së Avokatisë nuk presin që vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese të jetë në favor të profesioneve të lira, nisur nga ato të mëparshme të Gjykatës së krijuar pas procesit të vetingut.

Ata sollën në vëmendje procesin gjyqësor për hartën e re gjyqësore, ku Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash padinë e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit, duke arsyetuar se efektet e kësaj të fundit nuk cenonin parimin e proporcionalitetit.

Harta e re gjyqësore u kundërshtua nga avokatët, pasi rishpërndarja e gjykatave, rriste kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, i privonte ata nga e drejta për akses në drejtësi. Njëkohësisht, ndryshimet dëmtonin profesionin e avokatit.

 

Pse Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi zbatimin e ligjit deri në vendimmarrjen e plotë?

Në seancën maratonë të 18 qershorit, trupa gjykuese mori në shqyrtim së bashku tri paditë e depozituara prej Grupit Parlamentar të PD-së, Dhomës së Avokatisë, IKM-së dhe IEKA-s.

Para marrjes së vendimit përfundimtar për lënien në fuqi apo shfuqizimin e ligjit, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullim, me argumentin se çështja do të trajtohet me përparësi.

“Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, duke marrë në konsideratë që procesi është duke u gjykuar me përparësi”, pohoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Pra ligji i ri do të vijojë të zbatohet deri sa gjykata të shprehet në tërësi për të. Gjykatësja Zaçaj u la kohë palëve që deri më datën 21 qershor të sjellin prova të reja, përgjigjet për pyetjet që u administruan në seancë dhe parashtrimet, ndërsa lajmëroi se konkluzionet përfundimtare do të jepen në seancën e datës 25 qershor.

Juristi Aigest Milo tha për “Monitor” se rrëzimi i kërkesës për pezullimin e ligjit nuk mund të konsiderohet vendimmarrje negative, duke marrë parasysh afatet e shqyrtimit të çështjes.

“Çështja po shqyrtohet me përparësi nga Gjykata Kushtetuese. Koha e marrjes së vendimit është e shpejtë.

Vendimi për shfuqizimin ose lënien në fuqi të ligjit pritet të merret më 25 qershor, kur u përcaktua edhe paraqitja e konkluzioneve përfundimtare. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për pezullimin e ligjit”.

Për avokatin Klodian Gjermeni, rrëzimi i kërkesës për pezullim, jo vetëm që i ka vënë në vështirësi bizneset e profesioneve të lira, pasi brenda datës 30 qershor do të duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin në bazë të përllogaritjes së bërë nga drejtoritë rajonale të tatimeve.

“Kjo do t’i vërë në vështirësi të mëdha profesionet e lira, pasi po e parapaguajnë këtë taksë në bazë të xhiros vjetore të deklaruar për 2023”.

Avokati Gjermeni argumenton se, edhe në nëse do të merret vendimi për shfuqizimin e tatimit, kohëzgjatja për zbatimin e tij, pas publikimit në Fletoren Zyrtare, sërish do të rëndojë me pagesën e taksës profesionet e lira.

Në të kundërt, nëse Kushtetuesja vendos mosshfuqizimin e ligjit, Gjermeni parashikon se me kryerjen e parapagimit të kësteve të tatimit, do të rriten automatikisht kostot e faturimit mbi konsumatorin.

“Mbi tarifën e shërbimit që i ofrohet konsumatorit do të shtohet direkt edhe 15% e taksës”, u shpreh ai.

 

 

Si ka vepruar Kushtetuesja për çështjet më të debatuara, të ankimuara për shfuqizim në vitin 2023?

Padia për shfuqizimin e ligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”, u depozitua nga një grup studentësh dhe nga 30 deputetë të grupit parlamentar të PD-së.

Në muajin nëntor 2023, Gjykata Kushtetuese, para vendimmarrjes përfundimtare, vendosi pezullimin e zbatimit të tij. Ligji nuk u zbatua për rreth 4 muaj.

Në shkurt të 2024-s, Kushtetuesja vendosi uljen e afatit të punësimit të detyrueshëm të studentëve në Shqipëri pas diplomimit. Ligji i mëparshëm përcaktonte se pas diplomimit, studentët e mjekësisë ishin të detyruar të qëndronin të punësuar në vend për një periudhë 5-vjeçare.

Ndryshimet ligjore preknin edhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të ishin të detyruar të nënshkruanin marrëveshje para fillimit të vitit të ri akademik, duke pranuar të punojnë jo më pak se 3 vjet në vend.

Pas vendimit përfundimtar të Kushtetueses nga Ministria e Shëndetësisë u propozua ulja e afatit të qëndrimit të të sapodiplomuarve në Shqipëri nga 5 deri në 3 vjet.

Po ashtu ligji nr.133/2015 “Për trajtimin e pronave”, u padit për shfuqizim, nga Komuniteti Mysliman më 23 Nëntor 2023. Në ankimim kundërshtohej metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.

Kjo pasi, sipas ligjit të ri, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10% të vlerës nga vlera e pronës në tregun e sotshëm.

Deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, edhe ky ligj nuk u zbatua për rreth 4 muaj.

Në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese mori vendim për lënien në fuqi të ligjit, pra vendosi masën e heqjes së pezullimit. Në vendim u argumentua se nuk është antikushtetues dhe nuk cenohet e drejta e pronës për pronarët.

Çfarë parashtruan palët në seancën e Kushtetueses?

Njëzëri përfaqësuesit ligjorë të padive pohuan se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” shkel parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, pohoi se zbatimi i ligjit ka krijuar pasiguri juridike për bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale.

“Gjatë muajit prill, referuar të dhënave të QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit, kanë depozituar kërkesë për pezullim aktiviteti 10,470 biznese të profesioneve të lira”, pohoi ai, duke shtuar se veçanërisht te bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale, ligji i ri cenon në mënyrë flagrante sigurinë juridike.

Gent Ibrahimi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në pyetjen drejtuar avokatit Marash Logu, kërkoi të dhëna krahasuese, të numrit të bizneseve që kanë pezullim apo mbyllur aktivitetin, në raport me 1 apo 2 vitet para fillimit të zbatimit të ligjit.

Logu u përgjigj se me miratimin e ligjit ka pasur shtim të numrit të subjekteve fizike që kanë depozituar kërkesa për pezullim krahasuar me vitet e mëparshme.

Ndërsa shtoi se të dhënat e kërkesave për pezullim aktiviteti, të kategorizuara sipas veprimtarive ekonomike, janë depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese. Depozitimi i të dhënave për numrin e bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin u kërkuan edhe nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Po ashtu, Logu ndër të tjera u shpreh se edhe trajtimi i diferencuar tatimor i profesioneve të lira, kundrejt bizneseve të tjera, që iu jepet kohë deri më 30 dhjetor 2029 të përshtaten me sistemin e ri fiskal, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike.

Logu theksoi se edhe argumentet e qeverisë për shmangien e evazionit dhe barazimit të të vetëpunësuarve që mbart rrezikun e gjetjes së klientëve, qirasë dhe detyrimeve të tjera me një të punësuar që të ardhurat i garantohen nga zbatimi i Kodit të Punës, nuk përligjin diskriminim që i bëhet kësaj kategorie.

Nga Këshilli i Ministrave, politika e re fiskale u mbrojt nga Niko Lera, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë me pretendimin se profesionet e lira kishin abuzuar në të kaluarën dhe se Shqipëria nuk mund të jetë pafundësisht parajsë fiskale.

“Bizneset në këtë profesion kanë 9 vjet me tatim zero. Shqipëria nuk mund të jetë parajsë fiskale pafundësisht për kategori të caktuara.

Gjithashtu në të kaluarën ka pasur inflacion NIPT-esh me profesionet e lira. Ligji adreson problematikën në tërësi, pasi administrata tatimore nuk ka kapacitet të ndjekë nga pas çdo individ që shkel ligjin”.

Ndërsa për sa u përket kërkesave për pezullim aktiviteti, Niko Lera tha se referuar të dhënave të marra nga QKB, të periudhës nga muaji janar deri në fund të muajit maj 2024, rezulton se nuk ka rënie të numrit të bizneseve që ofrojnë shërbimet profesionale, por përkundrazi kemi rritje të numrit të tyre përkatësisht me 942 biznese.

Po ashtu, për argumentin e ankuesve, se ligji krijon pabarazi midis tatimpaguesve dhe është diskriminues, Lera parashtroi para trupës gjyqësore argumentin se pas decentralizimit të ekonomisë, në 32 vjet asnjëherë nuk ka pasur barazi ideale të barrës tatimore.

“Ajo nuk mund të arrihet as teorikisht dhe diferencimet në të ardhura kanë qenë dhe do të jenë të pranishme”, tha Lera.

“Në vetë filozofinë e sistemit tatimor qëndron pabarazia. Një sistem tatimor konsiderohet i ekuilibruar, kur barra tatimore shpërndahet në mënyrë të tillë që reflekton mundësinë e tatimpaguesit për të paguar.

Prandaj duhet të përpiqemi gjithnjë e më tepër të shmangim devijimet, me synimin e shpërndarjes sa më të gjerë të barrës tatimore te tatimpaguesit”, argumentoi ndër të tjera ai.

Deputetja Jorida Tabaku, përfaqësuese e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, parashtroi gjatë seancës se kjo politikë fiskale ashtu, si edhe ato të ndërmarra në vite nga qeveria, krijojnë paqëndrueshmëri te tatimpaguesit, cenojnë sigurinë juridike të tyre.

“Ne presim që Gjykata Kushtetuese, të shohë a është sistemi tatimor eficient? A e përmirëson dhe mbështet transparencën ndaj tatimpaguesve”, pohoi znj. Tabaku.

Avokati Aigest Milo ngriti shqetësimin se në një kohë që, zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat shkel Kushtetutën, pasi diskriminon tatimpaguesit, propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit e kanë kanalizuar diskutimin te shmangie e detyrimeve nga profesionet e lira, që është nxitur nga hapësirat ligjore.

“Organet tatimore, i kanë të gjitha mjetet, për të luftuar abuzuesit. Nuk ka pse të kolektivizohet një zgjidhje për të gjithë profesionistët e ndershëm”.

Për rrjedhojë të kësaj politike fiskale diskriminuese, Milo tha se bizneset nuk kanë mundësi financiare për të parapaguar brenda 30 qershorit këstet e tatimit. Sipas tij, kjo rrezikon kolapsin e sistemit të tatimpaguesve.

Shfuqizimi i ligjit është kërkuar edhe nga përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Edmond Dema. Ai tha se pas hartës së re gjyqësore, edhe ky ligj është në vazhdën e cenimit të profesionit të avokatit.

Dema parashtroi se ligji është i paqartë në përcaktimin e kategorive të tatimpaguesve, ndërsa bizneseve duhej t’u lihej një vit afat për përgatitjen e zbatimit të ligjit.

Ai ngriti shqetësimin se me zbatimin e ligjit po cenohet integriteti për profesionin e avokatit, duke thënë se nuk paguajnë detyrime, në një kohë kur kjo kategori tatohet për të ardhurat personale nga paga, për tatimin në burim, qoftë si qiramarrës apo qiradhënës, paguan taksën e infrastrukturës arsimore, taksën e reklamës, taksën e tabelës etj.

Për rrjedhojë, sipas tij, me shtimin e detyrimit për taksën e re të fitimit, një avokat me të ardhura 2 milionë lekë në vit do të arrijë të sigurojë një pagë prej 90 mijë lekësh në muaj, e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, kur pagat e administratës janë 30 deri 40% më të larta.

Ndërsa përfaqësuesja e Kuvendit të Shqipërisë, në parashtrimet e saj, tha se ligji nuk e cenon parimin e barazisë, për diferencim në taksim dhe kërkesa për shfuqizimin e tij nuk është e argumentuar.

Ajo gjithashtu tha se norma tatimore progresive nevojitet si mekanizëm antishmangie nga tatimpagues të mëdhenj me status person fizik.

“Neni 3, pika 2, 5, 6 dhe neni 24 pika 2 e ligjit për tatimin mbi të ardhurat është në mbështetje të plotë të neneve 4, 17, 18 dhe 155 të Kushtetutës, pasi vendos të njëjtën bazë dhe normë tatimore për të gjithë personat fizikë, si ata individë tregtarë, dhe individë të vetëpunësuar, përjashtim nga kjo kategori bëjnë vetëm individët që i nënshtrohen tatimit mbi punësimin.

Ligji ka trajtuar, si persona fizikë 3 kategori: individë të punësuar, persona fizikë të vetëpunësuar, dhe persona fizikë tregtarë, të cilët janë subjekte mbi tatimin për të ardhurat personale.

Ky grupim që përkufizohen në nenin 3 pika 2, 5 dhe 6 të ligjit nuk bien ndesh me ndonjë normë tjetër të legjislacionit rregullues të fushës, por përbëjnë një përkufizim specifik vetëm për qëllime të ligjit 29/2023 për tatimin mbi të ardhurat. Përkufizimi ka identifikuar kategorinë e individëve të vetëpunësuar që furnizojnë shërbime dhe kategorinë e individëve që furnizojnë mallra. Të dyja kategoritë tatohen mbi fitimin neto.

Neni 24, pika 2 e ligjit ka përcaktuar që me përjashtim të të punësuarve individë dhe e gjithë kategoria e personave fizikë si të vetëpunësuar dhe individëve tregtarë tatohen njëlloj në mënyrë të barabartë me një normë progresive që përllogaritet, duke marrë për bazë taksimi normën neto të fitimit”, argumentoi përfaqësuesja e Kuvendit të Shqipërisë në mbrojte të ligjit.

 

 

Çfarë parashikon ligji?

Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.

Në ligj parashikohet se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri në 10,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi, ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.

Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fasha e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%.

Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore, fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira, duke përfshirë 180 profesione.

Po në muajin dhjetor, për shkak të mosarritjes së realizimit të formularit të ri të deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve, hyri në fuqi Akti Normativ që përcaktonte se deklarimet do të bëhen me modelin e vjetër të formularit, por profesionet e lira, do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Si u zbatua ligji?

Në muajin prill, tatimet dërguat te bizneset njoftimet për llogaritjen e parapagimit të tatimit, bazuar mbi të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për vitin 2023. Në shumicën e rasteve, këstet e llogaritura të parapagimit arrinin në vlera të larta, si: 700, 800 apo 1,000 euro.

Në asnjë rast nuk rezultoi se është zbatuar njohja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit, siç përcaktohet në ligjin i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimin shoqërues për zbatim.

Llogaritjet e kësteve (9 këste) të parapagimit sipas kontabilistëve u kryen mbi të ardhurat dhe shpenzimet faktike të deklaruara për 2023, kur shpenzimet e deklaruara nga subjektet janë të ulëta, për shkak të natyrës së punës së shërbimeve profesionale dhe mospërgjegjësisë tatimore për t’i deklaruar të plota.

Llogaritjet e tatimeve nga ekspertët u vlerësuan jokorrekte edhe nga përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit, ku në disa raste, tatimet iu referoheshin ligjit për taksat vendore ose ligjit të shfuqizuar për tatimin mbi të ardhurat.

Ndërsa ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrate tatimore. Për njohjen e shpenzimeve 30%, tatimet vetëm sqaruan se do të zbatohen në deklarimet e 2024, që kryhen më 31 mars 2025, pas plotësimit të formularit për përzgjedhjen e regjimit të veçantë që pritet të shpërndahet në fund të vitit.

Rishikimi i llogaritjes së kësteve

Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore rishikoi më 28 maj me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira.

Në njoftimet e dërguara që më 28 maj nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezulton se për llogaritjen e tatimit për muajin maj dhe muajt qershor-dhjetor, janë zbritur shpenzimet 30%, të parashikuara në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri në 10 milionë lekë.

Pas korrigjimit kësti i parapagimit për muajin prill ka mbetur i pandryshuar. Ndërsa detyrimi për muajin maj dhe muajt e tjerë është 30% më i ulët.

Arena e Lajmit

Fati i profesioneve të lira në Kushtetuese, dilemat e vendimit të 25 qershorit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook