Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se duhet të bëhet gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me PD-në.
Me një mesazh në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, e cila po zhvillohet në selinë e kësaj partie, Berisha tha se asnjë nga ne nuk duhet të shikojë vëngër apo me skepticizëm ata që duan të bashkohen me ne.
“Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar”, tha Berisha.
Ai u shpreh se një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare. Berisha tha se Edi Rama është në pushtet, dhunon çdo ligj e Kushtetutë të këtij vendi, edhe për faktin se ne e lejojmë atë.
Berisha tha se regjimi i Edi Ramës duhet luftuar nga të gjithë shqiptarët, duke shtuar se të tre drejtuesit e partive opozitare janë në hetim nga SPAK. Ai tha se skandalet e kësaj qeverie nuk kanë të ndalur, ndërsa shtroi pyetjen: ku jemi ne, cila është detyra jonë?
“Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha. Sipas tij, Qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme se Edi Rama nuk ka më legjitimitet, ai dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i gatshëm të shkelë çdo ligj, normë, moral dhe Kushtetutë.
“Ai qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës, ndaj ne duhet t’ia bëjmë të qartë mbështetësve tanë”, tha Berisha.