KPA çel hetimin administrativ për gjyqtaren Iliba Bezati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi prova të reja në çështjen ndaj gjyqtares Iliba Bezati dhe i ngarkoi detyra Komisionerit Publik. Bezati këmbënguli në ligjshmërinë e burimeve financiare dhe iu përgjigj një sërë pyetjeve nga vëzhguesi ndërkombëtar.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të mërkurën qëndrimet e palëve në çështjen ndaj gjyqtares së Apelit Iliba Bezati. Bezati që është konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ankimua në Kolegj në vitin 2021 nga Komisioneri Publik.

Gjatë seancës në fjalën e tij Komisioneri Florian Ballhysa u qëndroi parashtrimeve të bëra në ankim, ndërsa kërkoi nga Kolegji të hetonte burimin e një huaje 30 mijë euro dhe po ashtu një analizë të re financiare për gjyqtaren. Ballhysa kërkoi po ashtu hetim sa i përket profesionalizmit të gjyqtares.

Bezati, e cila u mbrojt vetë në seancë, po ashtu mbajti të njëjtat qëndrime si në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ajo i tha trupës, së kryesuar nga Rezarta Schuetz, me anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Ina Rama dhe Sokol Çomo, se pasuritë e saj dhe bashkëshortit ishin me të ardhura të ligjshme.

Bezati foli në detaje mbi mundësitë financiare të një huadhënësi dhe kompanisë së tij. Ajo po ashtu dha shpjegime edhe mbi çështjet e sjella në Kolegj nga Komisioneri.

Vëzhguesi ndërkombëtar Stiven Kesler i bëri asaj një listë pyetjesh në lidhje me marrëdhënien me huadhënësin, mënyrën e marrjes së huas dhe arsyet e blerjes së një apartamenti në Tiranë në vitin 2005.

Bezati tha se ajo vetë nuk kishte marrëdhënie miqësie me huadhënësin, por këto ishin marrëdhëniet e bashkëshortit.

Në fund të seancës KPA vendosi të pranojë si prova të reja tre dokumente, përfshi dy vendime gjyqësore dhe një shkresë nga drejtoria e tatimeve. KPA, me shumicë votash, vendosi t’i kërkojë Komisionerit Publik të bënte të qartë pjesë të analizës financiare të bëra në KPK me të cilat nuk binte dakord dhe t’ia vinte në dispozicion trupës dhe subjektit deri në datën 3 korrik.

Njëkohësisht Kolegji vendosi të shtyjë seancën për në datën 11 korrik./BIRN/

Arena e Lajmit

KPA çel hetimin administrativ për gjyqtaren Iliba Bezati

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook