Analisti Ben Andoni në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 tha se Shqipëria është vendi i parafundit në Ballkan përsa i takon korrupsionit, ndërsa në fund është Serbia, i cili është një regjim autokratik.
Në këtë rubrikë u trajtuan deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në grupin parlamentar të PS-së lidhur me luftën kundër korrupsionit.
Andoni tha se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut por edhe Kosova është shumë para Shqipërisë përsa i takon indeksit të korrupsionit.
“Në çdo institucion duhej të funksiononte departamenti i bilbilfryrësve, që venë në dijeni në alert cilindo kur ka raste të tilla. Problemi është që raportet e KLSH nuk merren në konsideratë dhe keni rastin e Onkologjikut. Korrupsioni në Shqipëri është në nivel të frikshëm”, tha Andoni.
Ai u shpreh se jo më kot që Ambasadat e SHBA apo Gjermanisë kanë ngritur vazhdimisht problemet e bizneseve të vendeve të tyre që kanë në Shqipëri.
Andoni tha se tashmë duket sikur SPAK ka peshën më të madhe për të luftuar korrupsionin, por gjithashtu po shikojmë që Prokuroria Speciale nuk po arrin ti shkojë deri në fund hetimeve, sikundër po ndodh në rastin e inceneratorëve.
“Korrupsioni është në një nivel shumë të madh, është e pamundur që një individ të shkallmojë sistemin. Është shumë e vështirë për një individ, kur shikoni situata të tilla, sikundër ky skandali i Onkologjikut, për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi i gjithë zinxhiri, nuk mund të dilet dhe të thuhet se faji është individual”, tha Andoni.
Ai tha se sistemi mjekësor ka shumë probleme, pavarësisht se sot vëmendjen e tërheq skandali te onkologjiku.