“Në Shënjestër” zbardh dosjen hetimore për Onkologjikun/ Si nisi hetimi dhe deri ku mund të shtrihet

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala, në News24, ka trajtuar sot skandalin e mjekëve në spitalin Onkologjik pranë QSUNT. Në emision janë zbardhur detaje nga dosja hetimore, ndërkohë që hidhet dritë mbi mënyrën se si nisi hetimi nga Prokuroria që çoi në masat e sigurisë për mjekë e infiermierë, zv. Drejtoreshën e QSUNT etj.

Një skandal në dukje i madh, ka shpërthyer së fundmi në Spitalin Onkologjik në Tiranë, ku një hetim i Prokurorisë së Tiranës, i nisur pas kallëzimit të një qytetari në vitin 2023, ka rezultuar me ndalimin e disa mjekëve të këtij reparti, ku kurohen të sëmurët me sëmundje kancerogjone.

Si edhe të zv/drejtoreshës së Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.

Në thelb të të gjithë këtij hetimi është mënyra se si në këtë spital mjekët, pasi pacientët vinin te ta, pra te shërbimi publik, i përcillnin këta të fundit te klinikat e tyre private, të cilat kanë çmime shumë të kripura për buxhetin e një familje shqiptare.

Por që në hallin për të shpëtuar jetën e familjarëve të tyre, ishin të detyruar të shkonin aty, ku sipas hetimeve dhe përgjimeve të kryera, i drejtonte mjeku pritës në sektorin publik, që do merrej me trajtimin e tyre.

Apo që edhe nuk u jepnin dozat e duhura të kimioterapisë duke fshehur ilaçet, të cilat gjithmonë sipas gjetjeve, del se i tregtonin ato në farmaci të ndryshme, ose i mbanin në klinikat e tyre private.

Por si filloi hetimi për pavionin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë?

Dhe a është ky një hetim i plotë, apo një fasadë e radhës, që fsheh të vërteta shumë më të mëdha dhe të dhimbshme se kaq?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, hetimi i Prokurorisë së Tiranës, nisi fillimisht me mungesën e vënies në punë të Aparaturës së Kobalto-Terapisë, e cila shërben për trajtimin radioaktiv të pacientëve me sëmundje kancerogjene në lëkurë.

Aparaturë e cila pavarësisht se ndodhej prej disa vitesh në ambientet e pavionit të Onkologjisë, nuk ishte vënë asnjëherë në punë. Duke u prishur disa herë.

Ndërkohë që për shkak të vendosjes në një dhomë jo të papërshtatshme, pra jo në një bunker, ku të kishte të gjitha masat e sigurisë së duhur, rrezikonte jo vetëm shëndetin e pacientëve por edhe të mjekëve radiologë.

Prokuroria e Tiranës

Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Por që të përdoret Kobalto-Terapia duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA.

Por hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur kjo aparaturë ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Pra siç thamë, kjo aparaturë jo vetëm nuk u vendos në shërbim të pacientëve që ndërkohë kishin një nevojë emergjente për trajtim, por rrezikoi edhe jetën e mjekëve.  Disa prej të cilëve në vazhdim janë diagnostifikuar me sëmundje kancerogjene dhe për të cilët dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Ose paralelisht të fillojë një hetim, mbi Ministrinë e Shëndetësisë, mungesën e përgjegjësisë së saj, mbi shëndetin e pacientëve dhe të mjekëve.

Arena e Lajmit

“Në Shënjestër” zbardh dosjen hetimore për Onkologjikun/ Si nisi hetimi dhe deri ku mund të shtrihet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook