Në një analizë të bërë para disa muajsh në “Panorama Sport”, kam thënë për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, këto fjalë: “Të fillosh diçka, në veçanti në profesionin e trajnerit të një ekipi kombëtar, padyshim është fuqi, por ta përfundosh atë është zotësi”.
Për mendimin tim, Silvinjo i përmbushi të dyja këto. Kjo është meritë dhe vlerë e shtuar e tij, që nuk është e lehtë të arrihet. Ai që do të vendosë për të ardhmen e tij është vetë Silvinjo. Ka dy pluse që i ka fituar tashmë: fuqinë dhe zotësinë. Duhet edhe një faktor i tretë dhe atë e di vetëm Silvinjo, sepse nuk ekziston sukses pa meritë. Megjithatë, në futbollin e sotëm modern, mosmirënjohja është bërë denigruese deri në cenimin e vlerave të vërteta morale. Këto që po them, janë thjesht refleksione dhe jo një analizë e thelluar, sepse nga gjërat e vogla lindin ato të mëdha. Pikërisht detajet dhe këto gjëra të vogla nuk i dhanë mundësi trajnerit dhe ekipit të pasqyronin arritjen e objektivit, që vetë ata na i dhanë neve për të besuar edhe te kualifikimi në fazën e grupeve. U morëm me grupin e ferrit, duke harruar se ky grup nuk ishte aq ferr sa u propagandua, duke përjashtuar vetëm Spanjën.
EKIPET E VOGLA, ZHGËNJIMET DHE ROLI I PORTIERIT
Së pari, pothuajse të gjitha ekipet me humbjen e topit ktheheshin në gjysmëfushën e tyre, duke aplikuar lojën në bllok, duke zvogëluar hapësirat për të lehtësuar lojën në mbulimin e kundërshtarit dhe hapësirave, si dhe lehtësuar veprimet e mbrojtjes. Së dyti, u pa që të gjitha ekipet e njihnin mjaft mirë lojën e kundërshtarit. Pra, në themel të formacionit, vendoseshin lojtarë që kishin karakteristika për të përballuar me sukses në veçanti lojën e ajrit. Edhe pse u luajt me shumë krosime, golat me kokë janë ishin të paktë. Ekipet e ashtuquajtura të vogla kishin punuar mjaft mirë dhe kishin rritje në veçanti në përgatitjen atletiko-fizike, por edhe në nivelin tekniko-taktik. Ndërsa kombëtare të mëdha si Anglia, Franca, Portugalia, Holanda, Gjermania etj., duke përjashtuar këtu vetëm Spanjën, nuk pasqyruan një rritje cilësore, siç edhe pritej. Karakteri dhe shpirti i garës u reflektuan në maksimum nga skuadra si Gjeorgjia, Zvicra, Austria, Turqia, Sllovenia dhe ndonjë tjetër. Kjo ka qenë dhe është një vlerë që vendos edhe mbi atë tekniko-taktike-fizike.
Edhe ky Europian po e pasqyron mësë miri këtë dukuri. Së treti, dua të vlerësoj në maksimum rolin dhe detyrat specifike që ka loja e portierit. Europiani tregoi që portierët e aftë ishin shumë të përgatitur dhe u bënë jo vetëm shpëtimtarë të portës së tyre, por duke ndikuar deri në fitoren ose kualifikimin e ekipeve. Së katërti, mesi i fushës ishte faktor përcaktues, si në mbështetje të organizimit, ashtu edhe në aspektin mbrojtës. Sikurse u pa në shumë takime, reparti i mesit të fushës ishte një repart që kishte rolin më të madh dhe më domethënës në fitoren ose në arritjen e suksesit në ato ekipe që i kishin formuar shumë drejt, me lojtarë të aftë teknikisht dhe me ata të cilët kishin një shikim periferik dhe ndryshonin spektrin e lojës nga një moment në tjetrin për të kapur në befasi kundërshtarin. Së pesti, shfrytëzimi i goditjeve nga këndi dhe loja. Lojtarët që e kërkonin me aftësi marrjen e faullit afër zonës së rreptësisë për të përfituar nga goditjet e dënimit, nga ku shpesh herë erdhën golat e shënuar nga ekipet.
Dhe në këtë aspekt, disa skuadra kishin punuar mjaft mirë. Gjithashtu u panë së tepërmi lojtarë, madje edhe shumë trajnerë, që nervozizmi dhe zemërimi i shtyu ata të gabojnë. Kjo dukuri spikati shumë në këtë Europian, të paktën deri më tani. Ata kërkonin që të mohonin gabimin, por binin në një gabim të dyfishtë, pasi u dënonte lojtari dhe njerëzit që drejtonin nga stoli. Gjërat e mëdha nisin nga gjërat e vogla. Dhe në këtë aspekt kishte shumë të bukura, kur ekipet shfrytëzonin mjaft mirë detajet e vogla, ato të parëndësishme, por që jepnin rezultate pozitive. Një tjetër dukuri është ajo që u panë disa lojtarë dhe ekipe që përdornin mjaft mirë driblimin për të kaluar kundërshtarin dhe e dilnin në lojën 1 me 2. U aplikua loja në mur, në qendër të zonës dhe gjuajtjet nga distanca, të cilat u tentuan jo pak, por mbrojtjet e ngjeshura dhe lojtarët e vendosur mjaft mirë, nuk lejonin që goditjet të ishin të sakta.
NDIKIMI I FAKTORIT PSIKOLOGJIK DHE TENSIONI NË PUSHIM
Faktori moralo-psikologjik tani po bëhet gjithnjë e më shumë i një rëndësie tepër të madhe. Kjo, sepse duke u ngjeshur ndeshjet, duke u rritur vështirësia, padyshim që edhe sjellja ndaj skuadrës, lojtarëve, trajnerëve, duhet të ndryshojë dhe të jetë harmonike në çdo aspekt. Në pushimin e lojës ke të bësh me lojtarë që janë të nevrikosur, të zemëruar me veten e tyre dhe zgjidhja duhet të jetë brenda 15 minutave, drejtuar nga trajneri dhe nga një psikolog që ka qenë në dhomën e zhveshjes, për të ngritur moralin ose për të ulur tensionet. Sulmi më i mirë është kur di si të mbrohesh. Në të gjitha ekipet, pa përjashtim, u pa që kjo të vihej në realitet.
Pra, edhe te Franca, Holanda apo Gjermania, kur kishte momente presioni nga kundërshtari, gjithë skuadra kthehej në gjysmëfushë dhe përpiqej që të respektonte në maksimum cilësitë mbrojtëse, qoftë si grup ose si individ. Futbolli është loja që adhurohet nga miliona tifozë, prandaj është edhe sporti më pluralist. Të gjithë kanë të drejtë të japin mendime dhe refleksione. Në këtë aspekt asnjë njeri nuk duhet të çuditet nëse ka kundërshti ose aprovime, që edhe nuk janë realiste. Personalisht, kur unë mora drejtimin e ekipin të të rinjve të Partizanit për herë të parë si trajner, Loro Boriçi më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: “Ke marr përsipër një profesion të vështirë o Neptun, sepse këtu te ne futbollin shumë e njohin, por pak e dinë…”. Kjo përputhet tani me realitetin tonë dhe studiot e ndryshme që flasin dhe bëjnë gallatë. Panorama Sport