Një goditje fluturimthi, një gol shumë i bukur, por finalizime të tilla janë normale për një legjendë si C.Ronaldo, vetëm shifrat e tij nuk janë normale. Ndaj Kroacisë, CR7 realizoi golin e tij të 900 në karrierë, nuk kishte mënyrë më të bukur për të arritur këtë shifër se sa me fanellën e përfaqësueses portugeze, kjo ishte një arsye e fortë për të bërë që ylli i futbollit botëror të festonte mes lotësh, e kishte të vështirë të përmbante emocionet.
Së bashku me të festuan edhe të gjithë tifozët, jo vetëm në stadium. Pavarësisht se 39 vjeç dhe larg futbollit të rëndësishëm Evropian, Ronaldo vijon të bëjë liderin. Në përfundim të sfidës, CR7 foli për faqen zyrtare të UEFA-s ku nuk i fshehu emocionet për këtë arritje të madhe:
“900 gola në karrierë do të thotë shumë për mua. Është një numër që dëshiroja ta arrija prej kohësh. Unë e dija se këtë numër do ta arrija pasi nëse luan në vazhdimësi kjo do të vinte në mënyrë natyrale. Kjo ishte një ndeshje shumë e bukur nga të dy ekipet. Mendoj se ne e merituam fitoren, kishim më shumë raste, kishim më shumë kontrollin e topit. Një tjetër rekord tani? Rekordet vijnë në mënyrë natyrale. Unë jam i lumtur, pasi për mua ishte një pikë unike në karrierë, por gjëja më e rëndësishme është të mbështes ekipin. Pas Evropianit ishte e rëndësishme të linim një shenjë të mirë përballë publikon tonë”, u shpreh Ronaldo ndër të tjera për faqen zyrtare të UEFA-s.
()