Janë publikuar pamjet e një aksioni të RENEA-s në Lungomare të Vlorës. Pamjet janë të 9 gushtit, gjatë paradites së kësaj date. Video u publikua nga gazetari Artan Hoxha. Në video duken disa efektivë të RENEA-s të maskuar dhe të armatosur, disa të veshur civilë, që futen në restorantin e një hoteli, duke shkaktuar panik tek turistët, ku kishte fëmijë e gra.
Në video duket sesi disa fëmijë futen poshtë tavolinave, teksa të pranishmit largohen të tmerruar. Ky është një operacion, ku është kërkuar edhe ndërhyrja e RENEA-s. Gjithë aksioni ndodh për jo më tepër se 50 sekonda. Në raste të tilla ndërhyhet, kur kapet një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Nuk ka informacione se kush ka qenë objektivi i RENEA-s.
“Lajmi që u dha në media flet për ndërhyrjen në orën 10 të paradites, nuk u arrestua askush dhe aty ka vetëm turistë, kur këto operacione bëhen në mbrëmje. Kur RENEA i bën vetë këto operacione mundohet të shmangë përballjen me civilët. Nuk ka patur informacion të saktë. Një pjesë e këtyre efektivëve kanë qenë me të shkurtra. Njerëzit në lokal janë gra, fëmijë, familjarë. Këto operacione bëhen kur ke informacione të sakta dhe jo kur ka turistë.
Mirë u bë gjithë kjo, po për çfarë e bënë? Nëse 2-3 hoteleve në qendër të Tirënës u futesh kështu, nuk u shkon njeri me. Me aq shumë qytetarë që ndodhen aty për pushime, pasojat nuk dihen. Ky është operacion që nuk pati sukses”, tha gazetari Artan Hoxha.
(Arena e Lajmit)