Gazetari Kujtim Vani, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë nga Londra në studion e News24 ka folur mbi situatën në Britaninë e Madhe për emigracionin ilegal dhe masat që pritet të ndërmerren nga kryeministri Kier Starmer.
Ai u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të qeverisë britanike për të kontrolluar fluksin e emigrantëve, ka një rritje të vazhdueshme të numrit të individëve që tentojnë të kalojnë Kanalin, ndërsa Kryeministri Starmer po përpiqet të forcojë bashkëpunimin e sigurisë me vendet e tjera europiane për të luftuar krimin e organizuar që ndihmon në emigracionin ilegal.
Një nga strategjitë e përfolura për të përmirësuar situatën ka qenë dërgimi i emigrantëve në Shqipëri, për të cilën Starmer është interesuar gjatë një takimi me homologen italiane, Giorgia Meloni.
Ai theksoi se raportet sugjerojnë se Britania e Madhe është e interesuar të adoptojë një qasje të ngjashme me atë të Italisë, duke përdorur Shqipërinë si një vend të mundshëm për të ndihmuar në menaxhimin e flukseve të emigrantëve dhe për të parandaluar kalimet e paligjshme nëpërmjet kanalit.
“Italia ka parë një rënie të emigracionit të parregullt gjatë vitit të kaluar përmes detit. Kryeministri britanik ka zhvilluar një takim me homologen Meloni, duke diskutuar mënyrat se si ka funksionuar kjo rënie. Nga kjo kanë lindur zërat për një interesim të Britanisë për përdorimin e Shqipërisë në të njëjtën mënyrë si Italia”, u shpreh Vani.