“Tirana zyrtare hesht!”/ Genc Burimi: Në tetor Serbia miraton ligje për kriminalizimin e institucioneve të Kosovës! Legjitimohet arrestimi i zyrtarëve

Analisti Genc Burimi ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në rajon që pas daljes së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në një konferencë të pak ditë më parë, ku renditi dhe shtatë pika, kushte për Kosovën.

Burimi shkruan se pas vizitës së Vulin në Rusi dhe premtimit për ripërsëritje të kontratës për furnizimin me gaz, Beogradi “mori zemër”.

Ai shton se fjalimi i Vuçiç duhet të shqetësojë të gjithë, përfshirë Shqipërinë, teksa nënvizon faktin se në tetor Parlamenti serb pritet të miratojë ligje që çojnë në kriminalizimin e të gjithë organeve të Shtetit të Kosovës, lëvizje kjo që mundëson edhe lëshimin e urdhër arresteve kombëtare dhe ndërkombëtare për zyrtarët e Kosovës.

Dy gjëra duhen nënvizuar nga fjalimi i Vuçiçit mbi Kosovën. Toni dhe permbajtja.
Toni u pa tek mënyra më shumë se provokative kur Vuçiç u shpreh me tallje se kosovarët le të vazhdojnë po të dojnë të ëndërrojnë për pavarësinë e tyre, serbët asgjë nuk do të mund t’i ndalë.
Përmbajtja ishin dy gjëra të frikshme. Pas 45 ditësh , pra në fund të muajit tetor, parlamenti serb, sipas Vuçiçit do të votojë një kuadër të ri ligjor që çon në kriminalizimin e të gjithë organeve të Shtetit të Kosovës . Varroset kështu jo vetëm plani franko-gjerman i para dy viteve njohur si marrëveshja e Ohrit për paqe midis Serbisë dhe Kosovës, por varrosen të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Serbisë me BE-në mbi Kosovën që nga pavarësia e Kosovës. Kjo llogjikë e re serbe e çuar në ekstrem do të mund thotë këtej e tutje mandate arresti kombëtare dhe ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia për arrestimin e qeveritarëve dhe çdo tjetër zyrtari të Shtetit të Kosovës”, shkruan Burimi.

Analisti shkon më tej, duke evidentuar që Shqipëria premton mbrojtje për Kosovën në rast të një lufte, por që në fakt nuk i ka kapacitetet për diçka të till=, pasi prej një dekade ka parë NATO-n si mburojë.

Reagimi i plotë: 

Cfare ironie! Sa e largët duket tani ajo ditë kur Edi Rama në vizitën e tij historike në Serbi më 10 nëntor 2014 i thoshte presidentit serb ne zemër të Beogradit se Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm dhe i pandryshueshëm që Vuçiç duhet ta pranonte. Më shumë se një mesazh për Serbinë , Rama u jepte mesazh shqiptarëve se me të dhe Rilindjen e tij që sapo kishte ardhur në pushtet në Tiranë , Kosova do të kishte këtej e tutje avokatin më efikas që kishte patur ndonjëherë.
Fiks dhjetë vjet më vonë, Vuçiç duke shpallur planin e tij të premten e kaluar që përgatit ripushtimin e Kosovës , ai i kundërpërgjigjet në një fare mënyre edhe Edi Ramës me këto fjalë: « Asgjë nuk mund të na ndalë më ne serbët (për rimarrjen e Kosovës)! Kosovarët as në ëndërr nuk kanë për ta parë më pavarësinë »
Këto fjalë kaq të rënda, bartëse të një lufte të pashmangshme, të shoqëruara dhe me përgatitjen e një ligji të ri të posaçëm të Serbisë ndaj Kosovës , nuk kanë provokuar deri tani asnjë reagim tek Tirana zyrtare.
A mund të imagjinohet të rrijë Greqia e heshtur nëse Erdogan kërcënon Nikozinë dhe gjithë pavaresinë e Qipros siç e bëri haptazi Vuçiç ndaj Prishtinës dhe mbarë Kosovës të premten 13 shtator ?

Serbia rivendos shërbimin e ushtarak

Fjalimi solemn i Aleksander Vuçiçit mbi Kosovën ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga shume media serbe si një fjalim me përmbajtje tepër të veçantë. Ai fjalim i presidentit serb të premte e kaluar vinte vetëm një javë pas vizitës në Moskë të zv/kryeministrit serb, « famëkeqi » Aleksandar Vulin, ish-drejtuesi i sherbimeve sekrete të Serbisë cilësuar non grata nga Shba-të, gjë që s’e pengoi aspak atë të bëhet numri dy i qeverisë serbe. Si për të pëgatitur terrenin për fjalimin krejt të ç’kompleksuar të Vuçiçit mbi Kosovën, Vulin nga Moska i thurri dafina miqësisë serbo-ruse. « Serbia është aleate e Rusisë”, deklaroi zëvendëskryeministri serb në Moskë, duke e ndjerë të nevojshme të shtojë po ashtu : “E udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, dhe ajo nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë » tha Vulin më 4 shtator pas shtrëngimit të duarve në Moskë me Putinin.
Është në këtë konteskt “shpatullash të ngrohta” nga Moska , marrë dhe në kuptimin e parë të fjalës pasi ne marsin e ardhshëm Rusia pritet t’i zgjase kontratën e furnizimit me gaz Serbisë, që Vuçiç, gjeti kurajon të mbajë atë fjalim luftënxitës mbi Kosovën përballë heshtjes totale të Tiranës.
Dy gjëra duhen nënvizuar nga fjalimi i Vuçiçit mbi Kosovën. Toni dhe permbajtja.
Toni u pa tek mënyra më shumë se provokative kur Vuçiç u shpreh me tallje se kosovarët le të vazhdojnë po të dojnë të ëndërrojnë për pavarësinë e tyre, serbët asgjë nuk do të mund t’i ndalë.
Permbajtja ishin dy gjëra të frikshme. Pas 45 ditesh , pra në fund të muajit tetor, parlamenti serb, sipas Vuçiçit do të votojë një kuadër të ri ligjor që çon në kriminalizimin e të gjithë organeve të Shtetit të Kosovës . Varroset kështu jo vetëm plani franko-gjerman i para dy viteve njohur si marrëveshja e Ohrit për paqe midis Serbisë dhe Kosovës, por varrosen të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Serbisë me BE-në mbi Kosovën që nga pavarësia e Kosovës. Kjo llogjikë e re serbe e çuar në ekstrem do të mund thotë këtej e tutje mandate arresti kombëtare dhe nderkombëtare të lëshuara nga Serbia për arrestimin e qeveritarëve dhe çdo tjetër zyrtari të Shtetit të Kosovës. Ja si u shpreh Vuçiç në fjalimin e tij :
“Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë brenda 45 ditëve do të miratojë vendimin me të cilin do të shpallet paligjshmëria e të gjitha organeve dhe institucioneve të krijuara në territorin e Kosovës dhe Metohisë pas shpalljes ilegale të pavarësisë. Falë vendimit që ne do të marrim i gjithë aktiviteti dhe aktet e njëanshme të organeve të Kosovës bëhen ligjërisht inekzistente dhe nuk mund të prodhojnë pasoja apo efekte juridike. Një procedurë e ngjashme u ndërmor pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ligji shpalli të pavlefshme dispozitat ligjore të miratuara gjatë pushtimit armik te Serbise….Është rënë po ashtu dakord që brenda 45 ditëve Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të miratojë ligjin për organizimin e kompetencave të organeve gjyqësore të Republikës së Serbisë për Krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë. Do të krijohet një prokurori e posaçme për ndjekjen penale të veprave penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve të përkohshme të Prishtinës.”
Vuçiç shkoi dhe më larg duke thënë se kushdo në Serbi që do të njohë pavaresinë e Kosoves do të konsiderohet po ashtu se kryen vepër penale dhe do të përndiqet. Duhet rikujtuar se në fillim të këtij viti politkani serb pro-perëndimor Nikola Sanduloviç u rrëmbye në banesën e tij në mes të Beogradit nga agjentë të maskuar të shërbimeve sekret serb BIA dhe u torturua për mbi 6 orë rresht deri sa humbi ndjenjat. Ai u ndëshkua kështu mizorisht thjesht sepse kërkoi falje për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe vendosi një buqetë me lule mbi varrin e një vogelushje shtatëvjeçare kosovare e vrarë nga forcat e armatosura serbe më 1999. Nëse ligji që Vuçiç premtoi në fjalimin e të premtes bëhet realitet, dhunimi ndaj të gjithë atyre që në Serbi e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk do të bëhet më me maska por me kod penal.
Masa e dytë e frikshme që shoqëroi fjalimin e Vuçiçit mbi Kosovën është vendosja e sherbimit të detyruar ushtarak në Serbi. Që vitin e ardhshëm të gjithë të rinjtë serbe do të kryejnë shërbim të detyrueshëm ushtarak dy muaj e gjysëm. Edhe vajzat po ashtu ftohen nga qeveria serbe të bëjnë një gjë të tillë në mënyrë vullnetare.

Si do e mbrojë Shqipëria Kosovën

Të gjithë po asistojmë sot në një ndryshim radikal kursi të Serbisë ndaj Kosovës që mund të çojë në një lufte të re ballkanike në mos më gjerë. Vetëm Tirana e Edi Ramës vazhdon të luajë rolin e të verbërit që nuk sheh gjë, të shurdhit që nuk dëgjon gjë, dhe të memecit që nuk thotë gjë.
Shqipëria vazhdon kështu traditën e historisë së saj sa tragjike dhe fatale. Shqiptarët kanë qenë historikisht popull i agresuar nga të tjerët, dhe për një kohë të gjatë të pushtuar. Kjo sepse liderit e tyre kanë qenë të paaftë të organizojnë kombin në ditët e vështira, të paaftë t’i paraprijnë të ardhmes, e mbi të gjitha të paaftë të sigurojnë mbrojtjen kombëtare. Liderit aktuale të Shqipërisë mburren me aleancat ndërkombëtare, si vend anëtar i Natos apo si vend kandidat në BE, duke i shfrytëzuar këto aleanca thjesht si alibi apo justifikime për të mos e pajisur vendin me një mbrojtje autonome dhe të denje.

Vende anëtare të Natos janë po ashtu edhe Kroacia apo Greqia, edhe Polonia apo vendet balltike, por kurrë si më parë nuk po investohet aktualisht nga këto vende për mbrojtjen e tyre përtej asaj që mund t’u ofrojë Nato.
Dy studjues shqiptarë, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha në një artikull të shkëlqyer mbi Kosovën botuar para disa ditësh për një think tank të mirenjohur francez (Fondacioni Zhan Zhores) , e theksonin me forcë se dhe vendet më të fuqishme perëndimore e kanë sot në pikëpyetje pavarësinë e tyre : “Pas agresionit të fundit rus, ndjenja e rrezikut për sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve nuk është e pranishme vetëm në vende ne periferi të Evropës, por edhe ndër shtetet e fuqishme të Evropës, siç deklaroi së fundmi Presidenti i Frances.

Është normale që shtetet në periferi e kuptojnë rrezikun me më shumë largpamësi sesa shtetet e vendosura në qendër të kontinentit evropian”, shkruajnë dy ekspertët shqiptarë. Por ndonëesë Shqipëria është në “periferi” a po e kupton Edi Rama rrezikun që po na kanos të gjithëve Aleksandër Vuçiç? Dhe sa fjalime e masa të tjera “zjarrvënëse” të presidentit serb i nevojiten Edi Ramës t’i hapen më në fund sytë se rajoni nuk po shkon drejt “Ballkanit te hapur” që e kishte aq të shtrenjtë, por drejt “Ballkanit te Luftes” ? Serbia e Vuçiçit në një hark kohor tre javor ndërmorri veprime që bëjnë rimë me konlikt të armatosur dhe jo me Ballkan të përsosur. Serbia blen një flotë ajrore ushtarake ultra-moderne disa miliarda euro. Serbia njofton se me ligj po e transformon në akt kriminal pavarësinë e Kosovës që do të thotë se ajo mund ta sulmojë në çdo moment Kosovën. Dhe Serbia rivendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak të kohës së Titos dhe të Millosheviçit. Të gjithë këto vetëm në tre javë pa mbaruar mirë stina e verës. Cfare sinjali tjetër pret më tepër Edi Rama për t’u zgjuar nga gjumi hipnotik dhe letargjik ku e ka futur “vellai” i Beogradit?

Situata është egzakt si ajo e mes viteve 1930 kur Franca alarmohej se Hitleri po përgatiste luftë të re të Gjermanisë dhe askush nga partnerët anglo-saksonë nuk e dëgjonte apo bënte sikur nuk e besonte. Kur pa se ishte e vetme, Franca vendosi të shtonte buxhetin për mbrojtje, por qe tepër vonë. Frigoj se një ditë kur Tirana zyrtare do të zgjohet, do të jetë tepër vonë. Në vend që Kryeministri të merret me sulme ndaj “armikut të brendshëm”, ndaj asaj PD-je që ai rreket ta trajtojtë ditë e natë si forcë të rraskapitur, Rama bën mirë të hapë sytë mirë ndaj armikut të jashtëm dhe të përbashkët , jo vetëm të shqiptarëve por të bashkësisë ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë. Në vend të sulmeve ndaj opozitës, Rama t’i konsumojë energjitë në përpjekje të rimëkëmbjes së mbrojtjes së rraskapitur të shqiptarëve ku e kanë lënë qeveritë e tij që prej një dekade. Pyetja që shtrohet ndaj tij për një përgjigje të qartë është : si do të veproje shteti i Shqipërisë në rast agresioni ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës? Do ta mbrojmë Kosovën ka thene nje herë Rama kur Serbia rrëmbeu tre policë kosovarë. Por me cfarë do ta mbrojmë? Vetëm në dy vjet, Ukraina me popullsi as 40 milionshe u mobilizua dhe po i bën ballë heroikisht Rusisë me popullsi 140 milionshe. Një kapacitet rezistence që deri tani as në 10 vjet e sipër në pushtet Edi Rama nuk ka arritur t’ua ofrojë shqiptarëve që vërtet janë 4 milion por përballë kanë një Serbi pothuajse po aq lilipute prej vetëm 6 milion banorësh. Vecse fqinji “liliput “ po armatoset sa për 60 milionë banorë ndërkohë kur Rama shpreson se Nato është garanci e përjetshme për shqiptarët. Jo vetëm që kater milion e ca shqiptarët e rajonit tonë Edi Rama nuk diti t’i mobilizojë ashtu siç i mobilizon cdo javë shteti “amë” serb serbët e Ballkanit (dhe Perëndimi nuk thotë gjë), por me trishtë akoma, Kryeministri i Shqipërisë i ndau shqiptarët. Si kurrë në histori Tirana dhe Prishtina s’kanë qenë kaq në ndasi sa sot. Heshtja aktuale e Shqipërisë së Edi Ramës ndaj Serbisë së Vuçiç vetem sa po e thellon këtë ndarje për të mirë vetëm të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Para qeverisë së Shqipërisë ka tani një gur prove: a do të fillojë ajo një ofensive diplomatike në shkallë të gjerë kundra kthesës luftënxitëse të presidentit serb ndaj Kosovës apo Edi Rama do të vazhdojë ta mohojë rikthimin tragjik të historisë në të cilin po na rizhyt Serbia.

Arena e Lajmit

“Tirana zyrtare hesht!”/ Genc Burimi: Në tetor Serbia miraton ligje për kriminalizimin e institucioneve të Kosovës! Legjitimohet arrestimi i zyrtarëve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook