Shkaktoi aksidentin fatal ku humbi jetën kunati i tij, Apeli liron nga qelia italianin/ Detajet

Nga Senad Nikshiqi

Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga paraburgimi shtetasin italian Salvatore Di Tella që shkaktoi në mënyrë aksidentale humbjen e jetës të kunatit të tij Nicola Loro.

Ngjarja ndodhi më 19 gusht në plazhin e Velipojës teksa dy të rinjtë u përplasën me një Jet Ski duke bërë manovra të rrezikshme në ujë.

Kjo bëri që 19 vjeçari Nicola Loro të humbasë jetën në mënyrë të menjëhershme. Fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dha për italianin Di Tella masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60 ditor, por Apeli në Tiranë e rrëzoi duke e zëvendësuar me masën “garanci pasurore” dhe “detyrim paraqitje”.

Garancia pasurore e vënë në dispozicion nga 20 vjeçari Salvatore Di Tella që shkaktoi në mënyrë aksidentale vdekjen e kunatit të tij është në një shifër prej 10 milion lekësh të vjetër.

Gjatë kësaj periudhe 60 ditore kanë mbërritur dy aktet e ekspertimit, ai mjeko-ligjor dhe ai teknik i Jet Ski-ve në të cilin ndodheshin viktima dhe personi tjetër.

Di Tella është i dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Në sallën e gjyqit italiani Di Tella nuk ka dhënë asnjë deklaratë duke i qëndruar deklarimeve që ka bërë më përpara në polici.

Në policinë vendore të Shkodrës pas ngjarjes Di Tella ka rrëfyer me pak fjalë si ka ndodhur ngjarja.

“Jemi përplasur më përpara se Nicola të binte në det. Disa minuta më pas ka ardhur një dallgë e madhe dhe Nicola ka rënë në ujë dhe aty më pas ka humbur jetën.

Është një fatkeqësi ajo që na ka ndodhur”, mësohet të ketë thënë Di Tella në polici.

Ndërkohë avokati mbrojtës Arbër Rraja kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” me garanci pasurore 10 milion lekë të vjetra ose në alternativë kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” në banesën e personit që i ka ftuar në Shqipëri për ceremoninë martesore atë dhe të fejuarën e tij. Gjykata vendosi ta pranojë kërkesën e avokatit duke liruar nga qelia shtetasin italian Salvatore Di Tella.

Avokati Rraja gjatë mbrojtjes në seancën e masës së sigurisë deklaroi se ajo që ka ndodhur është një fatkeqësi familjare.

Pala mbrojtëse dorëzoi 20 fotografi të viktimës dhe autorit të dyshuar për të vërtetuar miqësinë e tyre të afërt dhe lidhjen familjare që kanë.

Ndërkohë gjatë seancës për masën e sigurisë të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Italisë në vendin tonë. Të rinjtë kishin ardhur nga Italia për pushime, por e gjitha përfundoi në një tragjedi familjare.

Arena e Lajmit

Shkaktoi aksidentin fatal ku humbi jetën kunati i tij, Apeli liron nga qelia italianin/ Detajet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook