“Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, një aktivitet për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me veshje të rralla popullore nga Veriu në Jug, nga Ulqini në Çamëri, nga Kosova në Kalabri

Institucioni i Presidentit të Republikës zhvilloi këtë vit aktivitetin “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, kushtuar veshjes popullore shqiptare.

Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës, Armanda Begaj, me synim promovimin e veshjeve popullore shqiptare, nderimin dhe ruajtjen e trashëgimisë etnografike.

Pjesëmarrës ishin zonja me kontribut në jetën kulturore shqiptare, ambasadorë dhe bashkëshortet e ambasadorëve që shërbejnë në vendin tonë, si edhe personalitete nga fusha të ndryshme të artit.

Veshjet tradicionale nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, si edhe veshjet arbëreshe, shfaqën larminë dhe origjinalitetin e tyre bashkë me elementë me vlera kulturore dhe artistike.

Ato erdhën në këtë aktivitet si dëshmi e zhvillimit të hershëm të zejtarisë artistike, dijebërjes, endjes dhe qëndismave, duke pasqyruar historinë tonë ndër shekuj.

“Ne shqiptarët kemi trashëguar ndër shekuj e breza një pasuri të madhe të veshjeve popullore të punuara mjeshtërisht nga gra e vajza. Këto veshje përgjatë proceseve të ndryshme të zhvillimit historik, social e kulturor, krijuan dhe fizionominë tonë”, – u shpreh Zonja Armanda Begaj gjatë fjalës përshëndetëse në këtë aktivitet.

Zonja e Parë vlerësoi në veçanti gratë që marrin përsipër riprodhimin e veshjeve popullore, duke ruajtur me fanatizëm origjinalitetin e tyre, ndërsa theksoi se gjithsecili jep kontribut në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore.

 

“Ne sot ndoshta nuk endim më sa dikur, nuk qëndisim e nuk përcjellim vajzën me pajën tradicionale të të parëve tanë, por kemi mundësi që kulturën materiale dhe shpirtërore, etnografinë shqiptare ta ruajmë me fanatizëm, ta pasurojmë, ta përhapim dhe ta trashëgojmë në brezat e ardhshëm.  Le ta përdorim historinë tonë të lashtë dhe të pasur për të qenë krenar në çdo kohë për qenien tonë, krenar për kombin shqiptar” – u shpreh Zonja Begaj.

Pasi ndoqën sfilatën e veshjeve popullore të shoqëruara nga vallet e krahinave përkatëse, të pranishmit ndanë mbresat, opinionet dhe eksperiencat e tyre në lidhje me etnografinë, ruajtjen dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

“Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, një aktivitet për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me veshje të rralla popullore nga Veriu në Jug, nga Ulqini në Çamëri, nga Kosova në Kalabri

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook