Kaosi 3 orësh në Tiranë/ Nga molotovët te gazi lotsjellës, ç’ndodhi në protestën e mosbindjes civile…

Opozita protestoi në Tiranë në atë që e quajti si “mosbindjen civile” ndaj burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji apo mbajtjes në arrest shtëpie të kreut demokrat, Sali Berisha.

Protesta nisi rreth orës 18:15 dhe për gati 3 orë krijoi një kaos në kryeqytet, kryesisht në qarkullimin e automjeteve, por regjistroi edhe disa përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Në mbyllje të protestës bilanci i raportuar është: 12 efektivë policie të plagosur me molotovë dhe 7 protestues gjithashtu të plagosur dhe të dëmtuar nga molotovët dhe gazi lotsjellës.

Eksponentët e opozitës ruajtën deri në fund skenarin që do të aplikohej në atë që e konsideruan si aplikimin për herë të parë të mosbindjes civile në Tiranë, edhe pse nga mënyra se si protesta u zhvillua u pa se as vetë ekipi opozitar që është marrë me organizimin nuk ishin të qartë se si do e vazhdonin.

Në pothuajse dy momente, grupi i deputetëve të PD-së që udhëhiqnin një pjesë të protestuesve që lëvizinin nga Kryeministria te selia e PS-së më pas te Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës, iu desh të komunikonin mes tyre për të përcaktuar drejtimin se nga do të lëviznin protestuesit.

“Hap pas hapi”, tha Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, kur u pyet se si do të vijonte protesta, pa dhënë një përgjigje lidhur me atë që do të ndodhte apo mbi ecurinë e saj.

Protesta nisi me një mbledhje të një pjese të protestuesve në selinë e PD-së dhe të tjerë në sheshin Skënderbej, ndërsa përqëndrimi i tyre do të ishte para godinës së Kryeministrisë.

Në dallim nga protestat e mëparshme, në këtë tubim të mosbindjes civile nuk do të kishte fjalime politike dhe as mesazhe. Dhe duket se në momentin e fundit është vendosur që protestuesit do të udhëhiqeshin nga anëtarë të kryesisë dhe deputetë, duke shmangur në këtë mënyrë drejtimin e turmës nga qytetarë.

Por kjo nuk shmangu përplasjet, pasi ishin vetë deputetët që sapo mbërritën përpara godinës së Kryeministrisë u përplasën me rreshtin e parë të policëve, që në dallim nga protestat e mëparshme nuk ishin efektivë të rendit me uniformë, por policë me skafandra dhe mburoja.

Përplasja deputetë-polici ndezi një grup protestuesish që të vijonin përplasjen dhe të hidhnin molotovët, një prej të cilëve i vuri flakën edhe një peme, por u shuajt shpejt nga forcat e rendit.

Këtu policia për të larguar protestuesit përdori sprite lotsjellës ose me piper që shkaktojnë probleme, ndoshta jo aq sa gazi lotsjellës.

Ky ishte momenti i parë i përplasjes dhe reagimit, ndërsa protesta u zhvendos në drejtim të godinave të tjera përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Dhe kur pritej që protestuesit të shkonin te Ministria e Brendshme, pati një devijim, pasi protestuesit u kthyen në drejtim të selisë së PS-së, ku shkarkuan një pjesë të konsiderueshme molotovësh.

Këtu ndoshta janë plagosur më së shumti punonjës policie nga molotovët, por edhe protestues, për faktin se policia ishte e papërgatitur për këtë “vizitë” të protestuesve, ndërsa protestuesit nuk kursyen hedhjen pa hesap të molotovëve. Bilanci? U arrit të digjej një banderolë e kreut socialist Edi Rama, që ndodhej mbi hyrjen kryesore të selisë së PS-së, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë apo larguar protestuesit.

Lëvizja e turmës vijon me zhvendosjen e tyre drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës. Te kjo e fundit u regjistrua edhe përplasja ndoshta më e ashpër, ku molotovët u hodhën në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia iu kundërpërgjigj me sasi të mëdha gazi lotsjellës.

Dhe i gjithë rrugëtimi i mbështetësve të opozitës u përmbyll te Parlamenti, atje ku duket se policia nuk priti përsëritjen e skenarëve që turma të hidhte molotovë dhe më pas policia t’i kundërpërgjigjej. Me rastin e parë të përdorimit të molotovëve, Policia ndoshta hodhi sasinë më të madhe të gazit lotsjellës, duke dhënë sinjalin se protesta duhej mbyllur ose do të mbyllje, pasi edhe afati i lejes së dhënë po skadonte.

Dhe mbyllja e protestës u njoftua pas pak minutash, në selinë e PD-së, atje ku fjalimin e fundit e mbajti Flamur Noka si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Tre orët e mosbindjes civile, e cila prej 3 vitesh artikulohet nga Sali Berisha, dukej se ishin një skenar i ndërtuar nga shumë sekuenca protestash që më parë i kishte aplikuar edhe Lulzim Basha kur drejtonte PD-në. Dallimi i vetëm ndoshta ishte se në protestën e djeshme u hodh pak më shumë molotov dhe krahas institucioneve, ai iu hodh edhe selisë së PS-së.

 

 

 

Arena e Lajmit

Kaosi 3 orësh në Tiranë/ Nga molotovët te gazi lotsjellës, ç’ndodhi në protestën e mosbindjes civile…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook