Arrestohet në Cërrik një 36-vjeçar që qëlloi me armë zjarri pistoletë, në ajër, në rrugën e fshatit Liçaj.
Sekuestrohen arma e zjarri pistoletë, një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 armë e ftohtë thikë, që u gjetën në banesën e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Liçaj, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri që e mbante pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neighborhood”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– S. S., 36 vjeç, banues në fshatin Liçaj.
Ky shtetas dyshohet se në gjendje të dehur, ka qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, pas mesnatës, në rrugë, në fshatin Liçaj. Nga të shtënat nuk ka patur dëmtime.
Gjatë kontrollit në banesën e 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehur në kopsht, armën e zjarrit pistoletë, ndërsa në ambientet e tjera të banesës kanë gjetur një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 thikë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.