Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani ka arritur fitore të rëndësishme në derbin e qytetit ndaj Suharekës.
Portokallezinjtë triumfuan me rezultat 1:0 në ndeshjen e javës së nëntë të Albi Mall Superligës. Goli vendimtar u shënua nga Bleart Tolaj në minutën e katërt, pas një aksioni të shpejtë dhe të saktë.
Ndeshja ishte mjaft emocionuese, me të dy skuadrat që ofruan lojë dinamike dhe krijuan disa raste shënimi. Megjithatë, rezultati përfundimtar mbeti 1:0 në favor të skuadrës së Artim Pollozhanit.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në krye të renditjes me 17 pikë, derisa Malisheva renditet e dyta me kuotë të njëjtë pikësh, por me goldallim më të dobët.
Në ndeshjen tjetër, skuadra e Dukagjinit është rikthyer te fitorja dhe atë duke e mposhtur Llapin, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat minimal 1:0. Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua nga Hekuran Berisha, në minutën e 58-të. Me këtë fitore, Dukagjini arrin në kuotën e 9 pikëve, por edhe më tutje renditet në pozitën e parafundit, ndërsa Llapi ka 14 pikë dhe është në vendin e pestë.