Një 34 vjeçare shqiptare, e arrestuar në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë, bashkë me 5 persona të tjerë, të dyshuar për nxjerrjen nga një anije të 150 kg kokainë, ka përfituar lirinë nga Gjykata por është refuzuar nga policia.
Ajo rezulton e dënuar me 4 vjet e 9 muaj burgim, si pjesë e grupit ku u arrestua edhe polumbari Saimir Kushova 47 vjec, i dënuar tashmë me 10 vjet e 4 muaj burg.
Në fakt shqiptarja rezulton bashkëpunëtore e ngushtë e Kushovës në biznesin e tij në Shqipëri, por edhe në udhëtime të përbashkëta në Europë, deri sa mbërritën në Norvegji për të nxjerrë kokainën që vinte nga Brazili me anijen “Nordloire”.
Së fundmi, sipas mediave norvegjeze, rreth dy javë më parë, Gjykata e rrethit arriti në përfundimin se ndalimi i mëtejshëm i saj është një ndërhyrje joproporcionale. Gjykata u shpreh se edhe nëse gruaja nuk paraqitet në çështjen e apelit, kjo ndoshta nuk do të ketë asnjë efekt mbi procedurën apo të pandehurit e tjerë dhe për shkak se është nënë e fëmijëve të vegjël, ra dakort për lirimin e saj.
Gjykata gjithashtu u shpreh se shqiptarja kishte një rol relativisht periferik në çështjen e drogës.
Ajo vetë ka shpjeguar se i është bashkuar udhëtimit me Saimir Kushovën sepse dinte anglisht dhe duhej të interpretonte dhe se nuk e kishte idenë se çfarë do të ndodhte buzë ujit në Husnes.
Ajo që u theksua më shumë gjatë seancës ishte shëndeti mendor i gruas dhe një situatë e vështirë përkujdesjeje me fëmijët në vendin e saj.
Por policia norvegjeze nuk pranoi lirimin e saj. Ajo u burgos më tej, thotë avokati i policisë Jørgen Henriksen. Kështu, ajo duhet të pranojë të qëndrojë pas hekurave dhe të presë deri në rastin e apelit në mes të shkurtit.