Zëri i Amerikës: Raporti për Shqipërinë: Rekomandimet e KE-së në shumicën e rasteve janë zbatuar pjesërisht

Komisioni Europian vlerësoi sot gjatë publikimit të Raportit Vjetor për Shqipërinë se vendi ka ruajtur përgjithësisht një nivel të lartë ambicieje për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit, duke vënë në dukje se procesi i vazhdueshëm i bisedimeve të anëtarësimit duhet të çojë në një përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në. Në fushat kryesore rezulton se rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian, në pjesën dërrmuese të rasteve janë zbatuar vetëm pjesërisht, e në disa raste kanë mbetur pa u zbatuar. Raporti shprehet po ashtu ngre pikëpyetje mbi politika e ligje të miratuara nga qeveria, të cilat duken se nuk janë në linjë me standartet e BE-së.

Shqipëria mundi të nisë dy javë më parë bisedimet konkrete për anëtarësim me hapjen e grupkapitullit të parë, të njohur si Themeloret, ku përfshihen fusha të rëndësishme që nga Administrata publike, Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar. Raporti i këtij viti nis pikërisht me analizën e situatës në këto fusha.

Komisioni i hedh fillimisht një vështrim zhvillimeve demokratike, duke u ndalur tek parlamenti, mbikqyrja e të cilit mbi qeverinë, sipas raportit, “mbetet e kufizuar”. Në të flitet për polarizimin e lartë dhe përplasjet mes shumicës dhe opozitës “për shkak të kufizimeve të pretenduara të të drejtave të saj”, shkruhet në raport.

Sa i takon qeverisë, Komisioni Europian thotë se ajo vazhdoi të tregojë përkushtimin e saj për integrimin në BE, por anga ana tjetër vihet në dukje se “vazhdoi të miratonte politika dhe ligje, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së. Shqetësuese mbetet ndarja e përgjegjësive ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror”.

Duke u ndalur te kapitujt që janë pjesë e bisedimeve të nisura, e përbashkëta është se vendi vlerësohet të jetë “mesatarisht i përgatitur”, por ndërsa analizohen fushat specifike, në pjesën dërrmuese të rasteve rezulton se rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa në disa raste kanë mbetur pa u zbatuar.

Lidhur me funksionimin e gjyqësorit “mbeten shqetësimet mbi përpjekjet për ndërhyrje politike dhe presion ndaj sistemit gjyqësor, si dhe mangësitë në emërimet, që duhet të jenë të bazuara në merita, të anëtarëve jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe për integritetin e tyre“.

Ndërsa sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria vlerësohet të jetë “mes të qenurit disi e përgatitur dhe mesatarisht e përgatitur, dhe se ka treguar disa përparime”.

Raporti vlerëson rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “në ndjekjen dhe hetimin çështjeve komplekse antikorrupsion, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së“.

Megjithatë për Komisionin Evropian “korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar”. Sipas raportit “nevojiten vlerësime të synuara të rrezikut dhe masa të dedikuara për të trajtuar korrupsionin në sektorët më të cenueshëm, duke përfshirë policinë, doganat, menaxhimin e tokës dhe pronës, kadastrën shtetërore dhe prokurimin publik”.

Edhe për luftën kundër krimit të organizuar është SPAK-u ai, që ka marrë vlerësime pozitive, por vendit i kërkohet që “të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit”.

Në dy fusha, “të drejtat themelore” dhe “liria e shprehjes”, Shqipëria rezulton të mos ketë zbatuar, rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian një vit më parë. Sipas raportit “pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhduan të ndikohen nga përqendrimi i lartë i tregut, mbivendosja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë së medias, kërcënimet dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët“./Voa/


Arena e Lajmit

Zëri i Amerikës: Raporti për Shqipërinë: Rekomandimet e KE-së në shumicën e rasteve janë zbatuar pjesërisht

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook