FSHF & UNICEF firmosin memorandum bashkëpunimi, Presidenti Duka: Futbolli ndikon në përmirësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve

FSHF dhe UNICEF nënshkruan sot një memorandum bashkëpunim për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve përmes futbollit. Ceremonia u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe morën pjesë Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, z. Murat Sahin.

Nëpërmjet këtij memorandumi synohet të krijohet një mjedis i sigurt dhe mbështetës për fëmijët, rritja e ndërgjegjësimit dhe angazhimi i komuniteteve lokale në nisma që promovojnë të drejtat e fëmijëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe nënvizoi se nëpërmjet mesazheve pozitive që futbolli përcjell ndikon në përmirësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

“Falënderoj z. Murat për këtë bashkëpunim, firmosjen e këtij memorandumi. Për Federatën e Futbollit kjo nuk është dita e parë për këtë lloj kauze, është vazhdimi i punës tonë të përhershme. Ne e kemi në objektivat tonë ndikimin nëpërmjet futbollit për përmirësimin apo mbrojtjen e fëmijëve, por ky është një lloj institucionalizimi për të bashkëpunuar bashkë, për të dhënë mesazhe pozitive për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e grave e vajzave dhe çdo gjë që mund të bëjmë bashkë. E para është që ne të japim mesazhe nëpërmjet trajnerëve dhe përgjegjësve tanë të futbollit për ata që luajnë futboll. E dyta dhe shumë e rëndësishme për të gjithë komunitetin në përgjithësi dhe se sa ne mund të ndikojmë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, edukimin e femijëve, integrimin e tyre, kryesisht vajzave. Unë jam i sigurt që me këtë lloj bashkëpunimi ky mesazh do të përçohet shumë më mirë dhe së bashku do t’ia arrijmë qëllimit tonë të përbashkët që është e ardhmja e jonë, që janë fëmijët tanë” – tha Presidenti Duka.

Përfaqësuesi i UNICEF, Murat Sahin, theksoi se ky partneritet shërben për të ndërtuar komunitete që kujdesen për të rinjtë dhe me anë të futbollit fëmijë të ketë mundësinë të shpalosin potencialin e tyre.

“Faleminderit Presidenti Duka. Është nder të firmosim këtë marrëveshje partneriteti mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UNICEF. Për ne, zhvillimi sportiv është çelës për çdo shtëpi, të ri dhe komunitet që kemi vizituar nëpër Shqipëri dhe për UNICEF-in në nivel global. Me anë të futbollit dhe sportit për zhvillim, ne mund të arrijmë në çdo shtëpi, shkollë apo komunitet në Shqipëri dhe të ndërtojmë vetëbesim, respekt, aftësi konjitive për fëmijët, që ata të mund të përmbushin potencialin e tyre dhe të bëhen qytetarë aktivë të vendit të tyre. Është e rëndësishme t’i gjejmë e t’i fuqizojmë dhe nëpërmjet argëtimit të lojës së futbollit, fëmijët të arrijnë potencialin e tyre” – theksoi përfaqësuesi i UNICEF, Murat Sahin.

Memorandumi i bashkëpunimit përfshin aktivitete dhe trajnime të ndryshme për trajnerët, prindërit dhe ambientin sportiv mbi të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.

 


Arena e Lajmit

FSHF & UNICEF firmosin memorandum bashkëpunimi, Presidenti Duka: Futbolli ndikon në përmirësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook