Pësojnë defekt sahatet e ujit në një pallat në lagjen nr 4 të qytetit të Korçës. Si pasojë e djegies së sahatëve ka prani të madhe të tymit në hyrje të pallatit.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për Arena e Lajmit se nga paniku, banorët kanë dalë jashtë, ndërkohë që po ndërhyhet për të pastruar të gjithë ambientin.
Ndërsa Drejtoria e Ujësjellësit do të bëjë ndërprerjen e ujit deri në rregullimin e plotë të sahateve të djegur.
Banorët thanë se kanë parë tym fillimisht, në korridor jashtë, pastaj kanë hapur dyert e ujësjellësit, ku kalojnë tubat e ujit. Ato kanë shtuar se u lajmërua zjarrfikësja, e cila erdhi për pak minuta. Tani është “mbytur” gjithë pallati nga uji, janë çarë të gjitha tubat, ujin e kanë ndërprerë dhe kanë mbetur të gjithë banorët jashtë. “Lart nuk hyn dot nga tymi, kati i 4 nuk hyn dot, nuk duket fare”, tha një banor.
Një tjetër banor ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen. “Shpërthyen tubat e ujit, u çanë, u mbush dynjaja me ujë. Lart dilte tym, por s’e dimë se ku. Ne vetëm kur na thanë dilni jashtë. Kemi lajmëruar zjarrfikësen, erdhën ata, u mbyll uji, drita nuk kemi, tashi nuk e dimë si do vazhdojë”.
Ndërsa një banor i tretë deklaroi: “Ra zjarri lart në katet lart dhe shpërthyen tubat e ujit. Banorët e kateve sipër ishin më të rrezikuarit, ne dolëm jashtë në moment”, deklaroi qytetari.
(Arena e Lajmit)