Në Komisionin Hetimor për sterilizimin dhe check up vijojnë debatet, ndërkohë që mandati përfundon më 14 nëntor.
Debatet po vijojnë lidhur me dëshminë e Ilir Beqajt, i cili u shfaq me pranga në duar rreth orës 10:00 në Kryesinë e Kuvendit për të dhënë dëshminë e tij në Komision, por edhe pas mbi 8 orësh, deputetët e opozitës dhe mazhorancës nuk po dakordësohen.
Beqaj ndodhet në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, i shoqëruar nga avokati i tij, nën masat e sigurisë, duke qenë se ndaj tij është masa e “arrestit me burg”, ndërsa pret nëse sot do të arrijë të japë ose jo dëshminë.
Është e njëjta skenë si një ditë më parë, ku ish-ministri i Shëndetësisë ka lënë qelinë ku ndodhet prej muajsh, dhe qëndron për orë të tëra në Kryesinë e Kuvendit, edhe pse deputetët, anëtarë të Komisionit Hetimor, ishin dakordësuar që ai të ishte dëshmitar.
Përplasja që nisi të martën ka të bëjë me kërkesën e Beqajt, i cili kërkoi një poëer point, për të dhënë dëshminë e tij, gjë që është refuzuar nga Kryetarja e Kuvendit, demokratja Albana Vokshi. Sot, Beqja u shpreh që të lejohej të paraqiste printimet në formatin A3, që tregojnë gjendjen e spitaleve para vitit 2013.
E ndërsa Beqaj pret të japë dëshmitë, demokratët po insistojnë për të thirrur si dëshmitare Vilma Nushin.
Socialistët akuzojnë demokratët se nuk po lejojnë që Beqaj të japë dëshminë e tij, ndërsa Albana Vokshi dhe deputetë të tjerë të opozitës, kanë zhvendosur debatin te përfituesja e koncensionit të Check Up.
“Sa herë që ne kërkonim dëshmitë e Vilma Nushit dhe Edi Ramës, ju ngrinit plaçkat dhe iknit nga komisioni”, tha Ilda Dhori, duke iu drejtuar deputetëve të PS-së.
Petrit Vasili pyeti socialistët se çfarë dallimi ka Ilir Rrapaj që u paraqit në Komisionin Hetimor nga Vilma Nushi, që ju nuk e pranoni si dëshmitare.
“Kjo është një gjë e pakapërcyeshme, ju pranoni Rrapajn e Sterilizimit dhe refuzoni Nushin e Check Up”, tha Vasili.
Debatet
Vokshi: Nga konçensioni i Check Up nuk i mbetet asgjë shtetit. Të gjithë laboratorët ku bëhen analizat janë nënkontraktorë, pra kanë pronarë të tjerë. Beqaj ka bërë kërdinë me shëndetësinë, ka bërë krim në shëndetësi. Kanë bërë krime si Edi Rama, si Ilir Rrapaj, Vilma Nushi, asnjë prej tyre nuk do të gëzojë qoftë edhe 1 qindarkë të shëndetit të qytetarëve. Këto para mund të shkonin te Onkologjiku. Gazetari Osman Stafa ka denoncuar sot se si janë mashtruar gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit lidhur me medikamentet. Unë po ju kërkoj të thirren Edi Rama, Vilma Nushi dhe të ezaurohet e gjithë lista e dëshmitarëve. Vilma Nushi s’ka lënë lekë, ndaj nuk vjen ajo këtu. Nëse nuk do të kishte lidhje me abuzimet dhe korrupsionet do të kishte ardhur këtu.
Ndreca: Ne nuk po arrijmë dot të respektojmë rendin e ditës. Ne kemi që në orën 10:30 që kërkojmë të thirret dëshmitari dhe të dëgjojmë dëshmitarin
Vokshi: Po i bëjmë thirrje ndërgjegjes së çdo deputeti të ndershëm që të nuk ka ngjyer gishtin në këtë vjedhjen e tmerrshme.
Ndreca: Keni gjithë ditën që po sabotoni komisionin, kemi një dëshmitar që pret nga mëngjesi për të dhënë dëshminë e tij.