Deputetja Insa Zhupa u shpreh se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj e ka kërcënuar në mbledhjen e fundit të komisionit hetimor parlamentar të “Sterilizimit”.
Në fjalën e saj nga foltorja e kuvendit, Zhupa u shpreh se Parlamenti ka rënë ndërsa deputetët u lanë nën mëshirën e një hajduti 2 metra, pasi garda kishte lënë në sallë vetëm një gardist.
Zhupa ka këmbëngulur se pavarësisht gjithçkaje, opozita nuk heq dorë nga hetimi.
“Parlamenti ka rënë. Dje deputetët e opozitës janë kërcënuar ndërkohë që po kryenin funksionet parlamentare. Asnjë dëshmitar, edhe i lirë qoftë ai, nuk lejohet të hyjë në sallën ku zhvillohen mbledhjet pa e thirrur kryetarja e komisionit. Keni 100 gardistë që nuk lejojnë deputetët të hyjnë në sallat ku zhvillohen mbledhje, pa leje apo kur janë të përjashtuar. Policia e burgjeve, Gardistët që duhet të ishin atje nuk e ndalonin dot Ilir Beqajn sepse duke qenë 2 m dhe shok i kryeministrit e ngatërruan me Edi Ramën dhe nuk e ndaluan. Ilir Beqaj i jepte urdhra policisë së burgjeve se çfarë duhet të bënin. Kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, bëri edhe status për kushtet çnjerëzore në Kuvend. Ne ishim në mëshirë të hajdutit 2 metra. Kam telefonuar komandantin e Gardës për të sjellë gardistët, se një kishin lënë atje. Ne jemi opozita e këtij vendi dhe do të hetojmë doni apo nuk doni ju. S’do bëjmë asnjë hap pas, do na keni përballë dhe në betejë”, tha ajo.