Deputeti demokrat Lefter Gështenja u transportua me urgjencë sot nga salla e Kuvendit drejt spitalit, pasi shfaqi probleme shëndetësore, teksa Parlamenti ishte në seancë plenare.
Pamjet tregonin deputetin Gështenja teksa shoqërohej nga disa kolegë të tij, që e mbanin për krahësh duke e ndihmuar të lëvizte.
Po çfarë ndodhi me ligjvënësin demokrat?
Saimir Korreshi, deputet i PD-së, në rubrikën “Opinion” në News24 ka sqaruar problemin shëndetësor të kolegut Gështenja. Ai tha se fillimisht u dyshua për infakt, për shkak të dhimbjeve të forta që kishte deputeti Gështenja. Por pas kontrolleve mjekësore ka rezultuar se Gështenja nuk kishte probleme me zemrën.
“Ishte në terapi për hernie diskale prej kohësh por sot u bllokua plotësisht. Është dyshuar se sot mund të pësonte ndonjë infarkt, u transportua në urgjencën e QSUT por gjendja e tij është stabël dhe nuk ka gjë nga zemra”, tha Korreshi.
Ai u shpreh se gjendja shëndetësore ishte rezultat i dhimbjeve të forta dhe shokut që pëson trupi, duke krijuar dyshimet për probleme me zemrën. “Ishin dhimbje të forta që ai nuk ulej apo ngrihej dot”, rrëfeu Korreshi.