Shkrimtarja Anisa Markarian, njëherazi aktore dhe mjeke, në rubrikën “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, duke folur për “Shtëpia te Selvia”, botuar në korrik 2022, që hedh dritë mbi fakte dhe personazhe të Tiranës nga vitet ’60 në vitet ’80, tha se qëllimi i librit ishte të mos jetë thjesht autobiografik, por një dëshmi, një pikël dëshmie në oqeanin e thellë të dëshmive që sigurisht tregojnë këtë periudhë të zymtë, por edhe të veçantë të historisë sonë.
“Dëshiroj që ky libër të shihet në këtë këndvështrim, jo thjesht si një libër për familjen e Anisës, por si dëshmi qytetare për Tiranën dhe historinë kolektive”, tha Markarian.
Referuar lagjes ku shkrimtarja ka jetuar, Markarian tha se mjafton të hysh në atë që njihet si rruga e Saraçëve, dhe nostalgjia, kujtimet, ngrihen në sipërfaqe.
“Shtëpia nuk ka mbetur më, por është Selvia, një selvi e shpupurisur, e pluhurosur, por ka mbetur aty. Kjo selvi është simboli i lagjes sonë, dhe dikur ishte pema më e lartë e Tiranës. Kanë mbetur shumë pak shenja të epokës kur unë banoja aty”, tha Markarian.
Duke vijuar rrëfimin, shkrimtarja shprehet se kalon vazhdimisht në atë lagje, sa herë që vjen në Shqipëri, pasi kujton fëmijërinë e saj. “Kur hyj në rrugën e Saraçëve dhe i afrohem vendit ku ka qenë shtëpia ime, unë jam ajo vajza 18, 20 apo 28 vjeçare, pasi isha 28 vjeç kur lashë Shqipërinë.
“Ka mbetur një rrugë e zhurmshme, është karakteristikë e asaj rruge. E di ku ka qenë porta ime, atje sot është një pallat i madh, por unë e di pikën e referimit dhe shikoj, dhe aty jam unë dhe familja ime”, shprehet Markarian, duke folur me nostalgji për lagjen e dikurshme.
“Për fatin tim më të mirë, në dy tre raste, nga njerëzit që kam takuar së fundmi, nuk isha më Anisa, por vajza e doktor Markarian, dhe mu bë aq shumë qejfi deri në mallëngjim. Dje takova në panair një grua që ka punuar me tim atë në klinike dhe mu drejtua që je vajza e doktorit. Më lumturuan duke më thirrur je vajza e doktorit”, rrëfeu Markarian.