Fushata zgjedhore online, Celibashi: Kemi propozuar amendamente për plotësimin e legjislacionit! Çfarë thonë ekspertët

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka theksuar se kuadri ligjor dhe legjislacioni janë tepër të rëndësishme për të rregulluar deri diku financimin e partive politike, por se mbetet akoma shumë për të bërë sa i përket reklamave online.

“Kemi propozuar pranë Kuvendit të Shqipërisë disa amendamente, të mbështetura dhe nga aktorë të tjerë të shoqërisë civile, të cilat synojnë të plotësojnë atë boshllëk që ka aktualisht legjislacioni në fuqi për reklamat në përgjithësi dhe reklamave online në veçanti, si edhe zhvillimit të fushatës zgjedhore online. Nuk ka pasur reformë zgjedhore të mirëfilltë, por KQZ mbetet e angazhuar të bëjë më shumë dhe më mirë edhe me këtë kuadër rregullator që është aktualisht për monitorimin e fushatës së zgjedhjeve për Kuvend 2025”, tha kreu i KQZ.

Deklarata është bërë ditën e sotme, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me International IDEA, Qendrën e Sundimit të Ligjit në Finlandë dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri (BIRN), organizuan tryezën e dialogut për reformë politikash, “Forcimi i integritetit të zgjedhjeve përmes monitorimit të reklamave politike online”.

Ekspertët ndërkombëtarë sollën praktikat e vendeve si Moldavia e Finlanda mbi legjislacionin, bashkëpunimin me kompanitë e mëdha të teknologjisë së informacionit dhe medias digjitale, monitorimin dhe masat e ndërmarra nga institucionet përkatëse.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre lidhur me instrumentat që mund të përdoren për përmirësimin e monitorimit, pasi shpejtësia e madhe e digjitalizimit vazhdon të ndikojë dhe të transformojë dinamikat e fushatave politike, si nga perspektiva e burimeve të financimit, ashtu edhe për sa i takon kanaleve ku zhvillohet fushata zgjedhore.

Gjatë diskutimeve u theksua se ofrimi i informacioneve të sakta dhe në kohën e duhur, me qëllim që votuesit të bëjnë një zgjedhje të informuar, vazhdon të mbetet një sfidë, për sa kohë nuk ka parashikime rregullash për fushatën në median online. Monitorimi mediatik i fushatave zgjedhore është thelbësor për ruajtjen e integritetit zgjedhor, duke siguruar ndër të tjera transparencën, drejtësinë dhe llogaridhënien, si edhe duke mbajtur parasysh perspektivat gjinore.

Pjesëmarrësit dakordësuan se ndjekja dhe monitorimi efektiv i reklamave dhe fushatave politike si në mediat tradicionale, ashtu edhe ato digjitale, kërkojnë metodologji inovative dhe të përmirësuara, pavarësisht nga nivelet e ndryshme të rregullimit.

Ky aktivitet bëri së bashku përfaqësues të medias, të shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare që kanë në fokus zgjedhjet, ekspertë ndërkombëtarë dhe kishte synim eksplorimin e diskutimin e sfidave kryesore me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile dhe media para zgjedhjeve parlamentare të 2025.

(Arena e Lajmit)


Arena e Lajmit

Fushata zgjedhore online, Celibashi: Kemi propozuar amendamente për plotësimin e legjislacionit! Çfarë thonë ekspertët

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook