Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Open në News 24 ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Lala tha se rezulton se dy grupe fëmijësh janë përleshur me njëri-tjetrin. Ajo tha se edhe Martini, edhe autori i krimit kanë qenë të shoqëruar nga persona të tjerë, bashkëmoshatarë. Lala deklaroi se shoku i autorit të dyshuar të ngjarjes është djali i një hetuesi të SPAK. Më tej, Lala deklaroi se deri tani grupi hetimor ka dalë në përfundimin se autor i ngjarjes ka qenë vetëm një person, ndërsa akt-ekspertimi do të tregojë të vërtetën.
Klodiana Lala: Çdo prind duhet t’i bashkohet protestës. Pas vrasjes së Martin Canit, po mbahen nën vëzhgim ambientet e jashtme të shkollave. Fatkeqësisht, që të bëhej kjo, duhet të ndërronte jetë një 14-vjeçar. Mendoj se reagimi është me vonesë. Ka çdo ditë konflikte në shkolla, situata është alarmante. Protesta për vrasjen e adoleshentit nuk duhet të jetë me ngjyrime politike. Nëse një mësues del te protesta, të nesërmen nuk është më në punë. Mësuesit frikësohen të dalin në protestë.
Në ngjarje kanë qenë 5 persona. Martin Cani, ka qenë me Luizin dhe me djalin e tezes. Vrasësi i dyshuar ka qenë me një mikun e tij, që nuk është ndaluar nga policia, pasi rezulton se nuk është përfshirë në ngjarje. Janë përleshur dy grupet e fëmijëve. Shoku i autorit të dyshuar rezulton se është djali i një hetuesi të BKH, pranë Prokurorisë së Posaçme. Grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur autor të dytë në ngjarje. Por çështja po hetohet. Me akt-ekspertimin do arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje. Akt-ekspertimi zbardh ngjarjen.
(Arena e Lajmit)