Në emisionin Open në News 24 u diskutua në lidhje me rezolutën e PPE-së për Shqipërinë, ku thuhet ndër të tjera se “liderët opozitarë në vendin tonë janë persekutuar politikisht para zgjedhjeve”.
Nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj tha se PPE është grupi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe ka mbështetur kritikat e Partisë Demokratike për gjendjen në vendin tonë. Gjekmarkaj u shpreh se rezoluta ndër të tjera është një kambanë për zgjimin e opozitës.
Ndërsa, gazetari Arbër Hitaj deklaroi se miratimin e rezolutës së PPE për Shqipërinë e sheh pozitive për PD-në, duke vendosur disa raporte me ndërkombëtarët. Por ai shtoi se rezoluta është thjesht deklarative dhe se PD-në e ka mbështetur një grupim politik i djathtë, diçka që është normale.
Agron Gjekmarkaj: Partitë Popullore janë partitë kryesore që i kanë dhënë Europës demokracinë, me të cilën mburret kontinenti. PPE ka konfirmuar shqetësimet e PD, duke folur për persekutimin politik të lidershipit opozitar. Rezoluta është kambanë zgjimi për opozitën. Ne presim që institucionet europiane të jenë monitoruese ndaj Shqipërisë. PPE ka kuptuar se shqetësimet e PD për vendin tonë janë reale.
Arbër Hitaj: PE ka 9 grupe parlamentare. PPE është afruar së fundmi me PD-në. Nuk e kam të qartë ende nëse njihet zyrtarisht z Berisha si kryetar nga ana e PPE-së. Është një gjë e mirë, por kjo rezolutë është thjesht deklarative. Opozita entuziazmohet, sepse PD ka raporte thuajse të ngrira me ndërkombëtarët. Gjë pozitive është, por nuk më duket gjë e jashtëzakonshme, pasi është grup parlamentar i djathtë që mbështet një parti të djathtë, diçka krejt normale.
(Arena e Lajmit)