Kedi Mehmetej nga Partia Lirisë në rubrikën “Opinion” në News24 tha se opozita po goditet me mekanizma ekstraligjorë.
Mehmetaj e cilësoi lirimin e Sali Berishës, që e konsideroi liderin e opozitës, si një reflektim të asaj që po ndodh në Botë, se sa mbi atë që po ndodh në Shqipëri.
“Mesazhi dhe modeli i demokracisë që do të shpërndahet nga Trump, sikundër shqyrtimi me prioritet nga Strasburgu, kemi këtë vendim të dhënë nga GJKKO. Dëmi që po vazhdon t’i bëhet opozitës është shumë i madh. Nuk arrij të kuptoj se çfarë pune ka drejtësia me politikën, apo politika me krimin sikundër edhe drejtësia me krimin”, tha Mehmetaj.
Ajo tha se nuk kemi vetëm goditjen që iu bë Sali Berishës pa prova, por kemi skandalin me arrestimin e Presidentit të PL-së, Ilir Meta, apo burgosjen e Ervin Salianjit për një gjë që nuk bazohet as në ligj.
“Nuk po thotë askush që mos i hetoni, por këtu synohet izolimi i opozitës”, tha Mehmetaj.
Ndërsa gazetari Agim Baçi tha se politikanët duhet të hetohen, por burgu s’mund të jetë qëllim.
Ai tha se ndjekja që SPAK do i bëjë kësaj çështjeje është një procedurë. “Lajm i mirë që Berisha u lirua, do të drejtojë PD-në. Mendoj se duhet të lirohet edhe Ilir Meta dhe ai të drejtojë partinë e tij dhe në zgjedhje të shkohet me liderët politikë. Por duhet hequr dorë edhe nga dy standardet, pasi në një rast kur gjyqtarja jep një vendim në favor është e mirë dhe falënderohet, ndërsa kur s’jep vendimin që i intereson, sulmohet dhe etiketohet me çdo epitet”, tha Baçi.