Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë në konferencën rajonale në Shkup me tematikë “Qeverisja e Gjeneratës së ardhshme: Nxitja e inovacionit të shërbimeve publike në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratsës Publike (ReSPA) dhe OECD/SIGMA.
Ministrja Pirdeni prezantoi punën e qeverisë Shqiptare drejt ndërtimit të një administrate publike moderne, inovative, të qëndrueshme dhe me fokus qytetarët.
Ministrja Pirdeni theksoi veçanërisht se në vizionin e qeverisë Shqiptare, inovacioni është themeli i reformave transformuese që janë ndërmarrë dhe një motor i rëndësishëm për të çuar përpara agjendën për qeverisjen e mirë.
“Për Shqipërinë, inovacioni në administratën publike nuk është më thjesht një zgjedhje e mirë dhe e mençur, por është themeli i transformimit në të gjithë sektorët. Kjo do të thotë se puna e institucioneve tona në këtë drejtim nuk ka për qëllim të listojë numerikisht reformat e kryera apo të prodhojë raporte për Brukselin. Në këtë moment të veçantë të historisë së reformave tona në administratën publike, inovacioni është fryma që udhëheq punën tonë në përditshmëri,” tha Pirdeni.
Ministrja Pirdeni përmendi gjatë fjalës së saj se tri janë shtyllat kryesore të inovacionit në transformimin e institucioneve publike në Shqipëri: Përmirësimi i shërbimeve publike të orientuara drejt qytetarëve; investimi me mekanizma bashkëkohorë në kapitalin njerëzor dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të përshpejtuar aderimin në BE.
“Përdorimi strategjik i teknologjisë ka qenë vendimtar për të përshpejtuar luftën kundër korrupsionit dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve. Nga vetëm 14 shërbime digjitale në vitin 2014, sot kemi arritur në 1.247 shërbime që mbulojnë 95% të të gjitha shërbimeve publike. Platforma e-Albania ka mbi 3.2 milionë përdorues të regjistruar. Duke eliminuar ndërveprimet fizike të drejtpërdrejta nëpër sportele kemi bërë një hap të madh drejt minimizimit të korrupsionit të vogël, si një nga objektivat tanë kryesore,” tha Pirdeni.
Ministrja Pirdeni u shpreh se një pjesë thelbësore e këtij transformimi është “Paketa e Motivimit për Administratën Publike” që përfshin jo vetëm rritjen e ndjeshme të pagave në sektorin publik në këto vitet e fundit deri në masën 46%, por dhe elementë të fleksibilitet të orarit të punës sipas nevojave që kanë punonjësit e administrates, përmirësim të kushteve të punës dhe trajnim të lidershipit.
Ministrja theksoi se zhvillimi i inovacionit kërkon domosdoshmërisht të udhëhiqet nga lidershipi që e përqafon ndryshimin. Ndaj këtë vit kemi finalizuar programin e parë të Zhvillimit të Lidershipit në Shqipëri, duke trajnuar 267 drejtues të lartë të Administratës.
“Krahas këtyre përpjekjeve, ne po shfrytëzojmë avantazhet e Inteligjencës Artificiale, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Nga përkthimi i korpusit ligjor të BE-së deri tek hartimi i drafteve të akteve që do të përafrohen, ne jemi të bindur se Inteligjenca Artificiale do të na mundësojë të adresojmë sfidat e këtij udhëtimi me efikasitet të lartë, duke garantuar që të arrijmë objektivat tona për Shqipërinë në BE brenda vitit 2030,” u shpreh ministrja Pirdeni.