Policia në Tiranë lajmëron se ka arrestuar shtatë persona në orët e fundit. Në pranga ka rënë disa shtetas, për vepra të ndryshme penale të tilla si dhuna në familje, vjedhja, si dhe drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt.
“Tiranë/Arrestohen 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar arrestuan shtetasen A. Gj., 27 vjeçe, banues në Tiranë. Kjo shtetase dyshohet se duke shfrytëzuar detyrën e saj si operatore në një kompani turistike, rezervonte bileta udhëtimi për klientë të ndryshëm dhe pasi përvetësonte pagesat e kryera, bënte anullimin e biletave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin P. Y., 34 vjeç, banues në Egjipt, pasi dyshohet se i ka vjedhur çantën me sendet personale, një shtetaseje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin B. M., 69 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin L. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtuar dhunë ndaj vëllait të tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:
– A. D., 39 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
– E. L., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, duke drejtuar në gjëndje të dehur mjetin tip “Audi”, është përplasur me mjetin tip “Benz”, me drejtuese shtetasen E. Gj. Më pas kjo shtetase, nga inercia ka përplasur mjetin tip “Citroen” me drejtues shtetasin A. Z. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasja E. Gj., dhe pasagjerja në mjet me të (shtetase e mitur), të cilat janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore;
– A. Z., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Sauk, duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, në gjëndje të dehur ka përplasur mjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasin K. L., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 05.09.2024, për një aksident të ndodhur në afërsi të nënkalimit të Parkut Zoologjik të Tiranës, ku shtetasi E. R., 33 vjeç, është përplasur me trafikndarësen, si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, ky shtetas ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
(Arena e Lajmit)