Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e së shtunës se protesta e 7 tetorit do të jetë një mosbindje civile masive.
Berisha e konsideroi këtë protestë si betejën e jetës së çdo opozitari. Ai tha se kjo protestë është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik.
“Për Edi Ramën, organizatën e tij kriminale qeveri, narkozyrtarët e tij, në këtë moment që flasim gjëja më e tmerrshme është ora e cila me tik-takun e saj afron në çdo sekondë 7 tetorin, orën 18:00 të 7 tetorit, ditën e mosbindjes civile masive, ditën e triumfit të guximit qytetar, ditën e përballjes së madhe të vlerave të qytetarëve, trimërisë dhe guximit të tyre me krimin, drogën, antivlerat e regjimit të Edi Ramës.
Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, beteja që nisim është beteja e jetës sonë.
Është shansi i jetës sonë.
Është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik.
Farsa elektorale, mohimi i të drejtës së votës përmes farsës elektorale dhe persekutimi politik i kundërshtarëve janë dy shtylla kryesore mbi të cilat bazohen diktaturat, qofshin ato naziste, komuniste, teokratike apo diktatura e bandave siç është kjo e Tiranës”, tha Berisha.