Ilir Meta del sot para Gjykatës së Posaçme për konfirmimin e masës së sigurisë, çfarë do të ndodhë

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me 3 të pandehurit e tjerë, mes të cilëve ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi do të dalin sot përpara Gjykatës së Posaçme.

Meta nesër pritet të dalë në gjykatë për konfirmimin e masës së sigurisë, “arrest me burg”. Përmes një njoftimi për shtyp, gjykata shprehet se seanca për verifikimin e kushteve do të nisë në orën 9:30.

Më pas Meta pritet të dërgohet në qelitë e paraburgimit.

Në dosjen hetimore të SPAK prej 176 faqesh që çoi në pranga ish-Presidentin Meta dhe vuri në akuzë 3 të tjerë, Prokuroria e Posaçme shprehet se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste. Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA, SPAK thotë se ka administruar prova se Meta në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës ka përfituar para në formën e korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të kompanisë DIA.

Ky dyshim, provohet sipas prokurorisë edhe përmes disa përgjimeve të realizuara vite më parë, mes të cilave 1 në vitin 2009. SPAK, shprehet se Meta përmes një sms-je i kërkon biznesmenit, Ismailaj para. Marrëdhënia e ngushtë mes tyre sipas organit të akuzës provohet dhe nga udhëtimi i tyre drejt Çekisë, atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.

Një tjetër çështje në dosjen hetimore, është dhe ajo e shpenzimeve mjekësore të ish-çiftit, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në vlerën e rreth 106 mijë eurove, para këto që nuk janë deklaruar prej tyre. Këto shpenzime janë zbuluar nga SPAK dhe janë pasqyruar në dosjen voluminoze. Gjithashtu, shpenzime të tjera të reflektuara në materialin hetimor, është dhe pagesa prej 400 mijë dollarësh e kryer nga LSI për lobim në SHBA, por që nuk është bërë përmes llogarive të LSI-së.

Mes episodeve që SPAK pretendon se ish-Presidenti ka konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave është ndërhyrja në kohën kur ishte Kryetar Kuvendi për futjen në tregun e fibrave optike të një kompanie private si dhe blerja e një duplexi në zonën e ish-Bllokut. Këto akuza të ngritura nga SPAK, vetë ish-Presidenti, Ilir Meta i ka hedhur poshtë dhe i ka cilësuar politike. Ndërkohë qëndrimi i Metës në bllokun e sigurisë do të jetë deri ditën e sotme kur do të paraqitet në GJKKO për konfirmimin e masës së sigurisë. Më pas Meta do të dërgohet në qelitë e paraburgimit.

Policia e Shtetit dha sqarime rreth pamjeve që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale, ku duket se si ish-Presidenti Ilir Meta nxirret me forcë nga makina e tij. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit kryetari i Partisë së Lirisë nuk pranoi të zbresë nga automjeti dhe “reagoi në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese, duke lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të policisë dhe drejtësisë”.

“Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik” e cilësoi arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin ky lajm e gjeti gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me gazetarët. Disa orë më vonë Berisha njoftoi edhe për një protestë të opozitës që do të mbahet më datën 29 tetor, në mbështetje të aleatit të tij politik.

Në një reagim publik, Monika Kryemadhi, e cila është në proces divorci me Metën, pretendon se SPAK-u ka shkelur sekretin hetimor duke dëshmuar “mungesë profesionalizmi”. “Prokuroria ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time” – shprehet Kryemadhi, teksa shton se “intimidimi i SPAK-ut do të marrë përgjigjen “e merituar” në çdo shkallë të gjyqësorit brenda e jashtë vendit”.

I lindur në vitin 1969, Meta u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i Jashtëm në vitin 2002, nën logon e Partisë Socialiste. Ai ishte President i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 2017 – 2022, ndërsa aktualisht mban postin e kryetarit të Partisë së Lirisë.

Arena e Lajmit

Ilir Meta del sot para Gjykatës së Posaçme për konfirmimin e masës së sigurisë, çfarë do të ndodhë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook