Gazetari Mentor Kikia dhe drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, kanë pasur një debat gjatë emisionit “Open” mbi situatën politike në Shqipëri dhe mënyrat e zgjidhjes së krizave.
Zhulali argumentoi se zgjidhja e krizave politike duhet të ndodhë para zgjedhjeve dhe se përpjekjet për të ndaluar fenomene të caktuara pas fitimeve zgjedhore janë të kotë. “Nëse fenomeni goditet pasi fitohen zgjedhjet, nuk ndryshon asgjë. Çfarë iu bë Belerit? U pamundësua të ishte kryetar bashkie në Himarë, dhe sot e kemi eurodeputet,” theksoi Zhulali.
Kikia, nga ana tjetër, e kritikoi këtë qasje dhe parashikoi skenarë të ndryshëm, duke pyetur: “Po sikur nesër SPAK të arrestojë Edi Ramën dhe emërohet në krye të mazhorancës Balluku?” Ai argumentoi se situata politike në Shqipëri është thelbësore dhe se ndërrimi i liderëve nuk do të sjellë ndryshime reale. “Nuk do ndryshojë asgjë. Janë përmbysje politike. Shqipëria duhet të ndërrojë themel, jo kryeministër,” shtoi Kikia.
Zhulali iu përgjigj me një shembull konkret, duke iu referuar situatës në Maqedoninë e Veriut. “Çfarë ndodhi në RMV? Kur Gruevski ishte në pushtet, e kishte pushtetin aq fort sa ishte i pamundur rotacioni. U vendos qeveria kujdestare, u ndryshua Kushtetuta. U shtynë 3 herë zgjedhjet,” përfundoi ajo.