Policia e Tiranës ndaloi 3 të mitur, që janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet si autorë të vjedhjeve të monopatinave në kryeqytet.
Dyshohet se të miturit në të paktën 8 raste janë autorë të vjedhjeve, ndërsa ka nisur procedimi edhe ndaj prindërve të tyre, që dyshohet se përvetësonin mallrat ose paratë, nga shitja e monopatinave.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan në gjendje të lirë 3 të mitur për veprën penale “Vjedhja” kryer më shumë së njëherë, si dhe prindërit e tyre, shtetasit L. M., 46 vjeçe, M. M., 32 vjeçe, dhe H. G., 44 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal.
3 të miturit dyshohet se kanë vjedhur disa monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve të banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 8 monopatina të dyshuara të vjedhura.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.