Deputeti socialist Plarent Ndreca ka lënë zyrat e Prokurorisë Speciale pas rreth 4 orësh, ndërsa është person nën hetim nga SPAK. Ndreca i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve dhe hetuesve të BKH për rreth 4 orë, ndërsa është treguar i rezervuar për mediat.
Deputeti socialist ka thënë se do të fliste në kohën e duhur. Ai tha se çështja është nën hetim, por kërkoi nga mediat që të mos nxitohen me konkluzionet.
Ndreca është marrë nën hetim për periudhën që ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme dhe po hetohet për shkelje të barazisë në tendera, bazuar në denoncimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Më konkretisht, KLSH në kallëzimin e bërë, vë theksin në devijimet ligjore në garën për rikonstruksionin e godinave të Komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.